Shoqatat e transportit kërcënojnë me bojkot më 15 qershor. Ndonëse ditën e djeshme kryeministri Edi Rama konfirmoi edhe njëherë hapjen e transporti publik me 15 qershor ka gjasa që ky vendim të mos zbatohet. Shoqatat e Transporti urban dhe interurban në të gjithë Shqipërinë paralajmërojnë se nuk do të rinisin punën më 15 qershor, nëse nuk plotësohen katër kërkesat e operatorëve. Vendimi për mosnisjen e transportit urban u mor nga përfaqësuesit e shoqatave të transportit një ditë pas protestës së zhvilluar para Ministrisë së Infrastrukturës. Ditën e djeshme pas një mbledhje të organizuar, shoqatat e transportit kanë hartuar një letër drejtuar kryeministrit Rama, ministres të Financave, Anila Denaj, ministres së Infrastrukturës Balluku dhe ministrit Shalsi, ku kërkojnë edhe një herë plotësimin e 4 kërkesave që nga heqja e akcizës, TVSH-së, si dhe rimbursim për reduktim të kapacitetit dhe kategorive që udhëtojnë falas. “Bazuar në informacionin e marrë në rrugë jozyrtare, i cili thotë për rifillimin e shërbimit më datë 15 Qershor, në pritje të zyrtarizmit të dy prej kërkesave të premtuara nga kryeministri, ne po ju përsërisim edhe një herë kërkesat tona ekonomike të panegociueshme, për të mundësuar rifillimin e shërbimit: Heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë e transportit publik (njësoj siç është për industrinë e peshkut). Zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e turizmit 6%, pasi edhe transporti është një nga hallkat thelbësore të zhvillimit të tij. Rimbursimin e kapacitetit të munguar si arsye e protokollit të sigurisë. Rimbursimin e kategorive, të cilat përfitojnë shërbimin falas në burim”, thuhet në letër. Përfaqësues të shoqatës paralajmërojnë përshkallëzim të protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre financiare. Gjithashtu ata shprehën se, nisja e punës me kapacitet të reduktuar dhe me çmimet aktuale të biletave do të çonte drejt falimentimit sektorin. Në Tiranë operojnë 15 linja të transportit publik urban, të cilat kanë vendosur të mos rikthehen në punë me 70% të kapacitetit të lejuar, pasi kjo do të vështirësonte situatën financiare të këtij sektori.
Ja si do të funksionojë transporti
Ndërsa shoqatat e transportit refuzojnë të kthehen në punë me 15 qershor pa u plotësuar kushtet e vendosura nga ata, kreu i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe tregoi gjatë një interviste televizive se vijojnë konsultimet me grupet e interesit që data 15 t’i gjejë shoqatat e transportit urban dhe interurban në punë. Pasi dha analizën e tij mbi kërkesat paraqitura nga shoqatat, Gonxhe tha se së pari duhet menduar për t’i ardhur në shërbim të qytetarëve.
“Kjo nuk është një çështje garancish, por këtu jemi bashkë. Jemi duke folur për shifra jo të lehta për t’u përballuar. Ne jemi më pranë se kurrë për t’u marrë vesh se në datën 15 të rinisim së bashku, që t’u shërbejmë qytetarëve”, theksoi ai. Ndër të tjera ai tregoi se si do të funksionojë transporti duke zbatuar protokollin e vendosur nga qeveria. Në këtë pikë ai tha se, urbanët nuk do të ofrojnë shërbim kondicioneri, por ajrosjen do ta kryejnë përmes dritareve. Sipas tij, ky është një rekomandim që vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga strukturat e tjera shëndetësore, ku Shqipëria bazohet. “Nëse respektohen kontratat e operatorëve, çdo katër minuta në stacion duhet të ketë mjet dhe nëse nuk do të kenë mundësi të hipin në mjet, atëherë qytetari do të marrë pas katër minutash tjetrin. Mund të lëvizet edhe me biçikleta. Ata do të jenë pa kondicionerë, por do të ajrosen me dritare, sepse i tillë është kushti që vjen nga OBSH dhe platformat e sigurisë ku ne bazohemi”, tha ai. Ndërsa për biletat ai tha se është çështje e bashkisë.








































