‘Snajperi’ ka qënë prej kohësh në vëzhgim të “presë” së tij, aq sa edhe ka studiuar me detaje të gjithë rutinën e tij ditore, dhe zakonet e tij. Duke u vendosur në një kodër, ku kishte edhe fushëpamje nga oborri i shtëpisë së tij, vrasësi ka pritur. Ai e dinte se në çfarë orë zgjohej Çapja dhe kur dilte jashtë në oborr.
Me zbulimin e detajeve të reja, eliminimi i Arjan Çapjas, njeriut që konsiderohet si “truri” i familjes Çapja në zonën e Elbasanit, nuk do të ishte i lehtë por të gjitha masat ishin marrë. Ishte menduar edhe për Policinë, e cila me siguri do të ishte shumë pranë zonës, dhe do të krijonte probleme për largimin e tyre nga vendngjarja.
Rreth orës 9 të mëngjesit, pikërisht në momentin kur po pritej që Çapja të dilte jashtë dhe të ‘takohej’ me plumbin, në drejtorinë e policisë së Elbasanit po zhvillohej një mbledhje, ku po diskutohej për ndërtimin e planeve anti-kanabis dhe verifikimin e disa denoncimeve. Ndërsa efektivët e tjerë sapo ishin mbledhur për të ndarë detyrat dhe zonat që do të patrullonin.
Shpërqëndimi i tyre ia vlejti dhe në mes të mbledhjes, në radio u raportua se në spitalin e Elbasanit kishte mbërritur i plagosur me armë Ardjan Çapja. Por tashmë ishte tepër vonë për të ndjekur autorët. E vetmja gjë që ka mbetur për t’u bërë është që të ndiqen gjurmët e tyre.
Plagosja e Ardian Çapjas ndodhi dy ditë më parë në zonën e Krastës në Elbasan. “Koka” e familjes dhe pronari i një sërë bizneseve në Elbasan ra pre për herë të tretë e një atentati, ku u qëllua me snajper, por nuk është arritur që të eliminohet.
Ai ndodhet në spital, ku edhe ka dhënë dëshminë e tij. 55-vjeçari se ka pranuar plagosjen e tij por është shprehur se në shpatull i është ngulur një shufër hekuri. Policia nga ana tjetër ka nisur me shoqërimet, ku mes tyre kanë qënë edhe pjesëtarë të fisit, duke dërguar në Komisariat të paktën 20 persona.










































