Gjyqtarja Etleva Deda e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përballet ditën e sotme në një seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të përbëhet nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, sëbashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Etleva Deda zotëronte vetëm pjesë takuese në apartamentin e familjes, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj kap vlerën e 16.7 milionë lekëve. Pasuria kryesore përbëhet nga një apartament me vlerë 92 mijë euro, ndërkohë që subjekti deklaron kursime në cash të akumuluara vit pas viti në vlerën e 4 milionë lekëve. Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 27.2 milionë lekë. Rreth 70% e të ardhurave janë siguruar nga paga për shkak të funksionit të gjyqtares, ndërsa 29% kanë si burim shitjen e pasurive të patundshme. Etleva Deda rezulton me pasuri të pajustifikuar për vitin 2009 në vlerën e 4.4 milionë lekëve dhe në vitin 2011 në vlerën e 997 mijë lekëve. Diferencat negative lidhen me blerjen e një apartamenti në vlerën e 92 mijë eurove, të paguar përmes një kësti prej 72 mijë eurosh në vitin 2009 dhe 20 mijë eurosh në vitin 2011. Gjyqtarja Deda nuk deklaron burim për pagesat e kësteve të apartamenteve, por mendohet që një kredi e butë prej 5 milionë lekësh e marrë në vitin 2006 të ketë shërbyer për pagesën e këstit të parë. Pjesa tjetër mbetet e pambuluar nga burimet e deklaruara. Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një hua prej 8 mijë eurosh, e cila rezulton e shlyer plotësisht në vitin 2013 si dhe kursimet në cash të deklaruara përgjatë 14 viteve. Në fund të vitit 2017, këto kursime të akumuluara kapin vlerën e 4 milionë lekëve, ndërkohë që zyrtarët publikë nuk lejohen të mbajnë jashtë sistemit bankar vlera monetare më të mëdha se 1.5 milionë lekë.










































