Dalin detaje të reja nga atentati i së shtunës në Laç, ku u ekzekutuan me 5 plumba Paulin Marku dhe Bujar Lika. E gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë të biznesit ku ndodhi ngjarja e rëndë. Në pamjet filmike tregohet se autorët kanë qenë katër, të maskuar dhe të veshur si policë.
Ngjarja ka ndodhur në një hotel në rrugën Laç-Mamurras, ndërsa dyshohet se një konflik i hershëm ka qenë shkaku i përplasjes. Efektivë të policisë që kanë shkuar në vendngjarje e kanë gjetur atentatorin disa metra më tej, të plagosur dhe në tentativë për t’u larguar.
Pjesëtarë të grupit të hetimit, thanë se fillimisht ata u vunë armët në kokë dy fëmijëve të biznesmenit të njohur, të cilët ndodheshin pranë makinës së tyre, në parkingun e hotelit. Teksa njëri prej tyre, ruante djemtë e Paulin Markut, të cilëve u kishin marrë edhe celularët, të tjerët, u nisën drejt hyrjes kryesore të hotelit.
Nga atentati mbeti i plagosur njëri nga autorët, pasi Bujar Lika reagoi duke u kundërpërgjigjur me zjarr. I plagosur nga tre të shtënat e Likës mbeti Kreshnik Tusha. Tre të tjerët e morën në makinë me shpejtësi duke e dërguar në shtëpi. Ai është dërguar nga familja në spitalin e Kurbinit duke pohuar se është vetëplagosur aksidentalisht, por pretendimi nuk është marrë për bazë nga organet. Pritet që në ditët në vijim Kreshnik Tusha të merret në pyetje dhe t’i caktohet masa e sigurisë nga gjykata e Kurbinit.
Ndërkohë ende mbetet mister se kush ishte shënjestra e atentatit. Policia dhe prokuroria e Laçit nuk kanë një version zyrtar në lidhje me këtë.
Sakaq bëhet me dije se Paulin Marku ishte pronar i disa bizneseve në Shqipëri, kompanisë “Antoni New-York”, kompania e kazinove “Intertronic” (Vegasi në Bllok) dhe kompania e tregtimit të gazit në Shqipëri “Petro Gaz Albania-n”. Sipas burimeve të policisë Paulin Marku, ka qenë dhe pronar i ish-Bar Restorant “Nicolini” në afërsi të ish-hotel “Dajtit”.





































