Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë ish-prokurorin Besnik Cani, ku refuzon të shqyrtojë ankimin e bërë prej tij kundër anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari. Ankimi i ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Cani, u bë gjatë kohës që ai po kalonte në filtrat e shkallës së dytë të vetingut, në përfundim të të cilit u shkarkua nga detyra. Cani kërkoi në Kushtetuese verifikimin e zgjedhjes së Hajdarit në KPA, duke pretenduar se ai ishte emëruar në këtë institucion në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Por një kolegj tre anëtarësh i Kushtetueses, i përbërë nga gjyqtaret Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari vlerësuan të mos e kalojnë në seancë ankimin e Hajdarit. Në vendimin e arsyetuar, Kushtetuesja vlerëson se ish-prokurori Besnik Cani nuk legjitimohet të kërkojë verifikimin e zgjedhjes së një gjyqtari të KPA. Sipas Kolegjit, teksa ishte në proces e sipër të vetingut, Cani duhet t’i kërkonte tek KPA garancitë ligjore për një proces të rregullt. Përmes një vendimi të mëhershëm Kushtetuesja refuzoi të marrë në shqyrtim kërkesën e Canit për verifikimin e zgjedhjes së anëtarit të pezulluar aktualisht, Luan Daci. Fillimisht Cani iu drejtua Kolegjit të Apelimit për largimin e dy gjyqtarëve, por KPA u shpreh se nuk kishte kompetencë, për të verifikuar ligjshmërinë e mandatit të tyre. Më pas, Besnik Cani iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sipas Kushtetueses, Cani si individ nuk mund të kërkojë papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë. Sa i takon pretendimit që Ardian Hajdari ka marrë pjesë në procesin për shkarkimin e Canit, Gjykata Kushtetuese arsyeton se akti i kundërshtuar nga Cani, pra akti i Kuvendit për emërimin e Hajdarit, nuk sjell pasoja të drejtpërdrejta dhe reale për të. Ish-anëtari KLP, Besnik Cani, ka kallëzuar penalisht në SPAK dy gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Dacin dhe Ardian Hajdarin, me pretendimin se kanë fshehur të shkuarën, i pari faktin se është shkarkuar nga detyra dhe i dyti se ka gënjyer për notën mesatare. Pretendimi për Dacin është konfirmuar deri më tani nga SPAK. Ndërkaq, pretendimi i Canit për Hajdarin deri më tani nuk është konfirmuar nga asnjë institucion përgjegjës.