Konflikti në burgun 313/ Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Ismailit për izolimin e Avdylajve

0
1026

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e drejtorit të burgjeve për izolimin e 5 të paraburgosurve të përfshirë në një konflikt disa javë më parë me gardianët e burgut 313. Togat e zeza të kryeqytetit kanë vendosur mesditën e djeshme anulimin e izolimit për pesë të paraburgosur. Në seancën e djeshme e cila zgjati rreth 4 orë togat e zeza vëzhguan për rreth dy orë pamjet filmike të sherrit të ndodhur në ambientet e paraburgimit. Pas këqyrjes së kamerave të ambientit të burgut gjykata doli në konkluzionin se personat e përfshirë në këtë konflikt nuk kanë përdorur dhunë ndaj gardianëve, por ata thjesht janë konfliktuar me fjalë mes tyre. Pas përfundimit të seancës së djeshme avokatët mbrojtës të personave nën hetim për trafik droge, të arrestuar në tetor të vitit 2018 në sajë të operacionit “Vol-vo 4”, kanë bërë të ditur se nga pamjet filmike nuk ka pasur asnjë përplasje mes klientëve të tyre dhe Policëve të Burgjeve. Në lidhje me sherrin që ndodhi në paraburgimin “313”, drejtori i burgjeve, Agim Ismaili kërkoi 3 muaj izolim për 5 anëtarët e grupit Avdylaj. Shkresa për izolimin e Hajri Seferit, Astrit Avdylit, Altin Avdylit, Saimir Gjepalit dhe Giovani di Cosimo mban datën 23 maj dhe iu dërgua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të shqyrtuar nëse vendimi ishte i drejtë. Shkak për sherrin mes gardianëve dhe të paraburgosurit u bë situata e krijuar në qelitë e paraburgimit 313-të pak javë më parë teksa u shënuan rastet e para të të infektuarve me Covid-19 dhe gjetja e një celulari në qelitë e të paraburgosurve.

Kërkesa e drejtorit të burgjeve

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka kërkuar futjen në izolim për 5 të paraburgosur, mes të cilëve edhe të pandehur të dosjes “339” pas konflikteve verbale dhe fizike që kanë patur me gardianët e burgut 313. Vendimi është marrë në 23 maj pas një përplasje që të arrestuarit patën me policët gjatë një kontrolli ne qelitë e tyre për shkak të tensionit në qelitë e paraburgimit pak javë më parë, kur edhe u shënua rasti i parë me Covid-19. Gjatë kësaj përplasjeje gjakrat u nxehën më shumë, pasi gardianët gjetën edhe një celular të futur ilegalisht në qelitë e paraburgimit. Zbulimi këtij celulari shtoi më tepër konfliktin dhe kaosin mes të burgosurve dhe gardianëve. Në kërkesën e drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili thuhet se kërkohet izolimi i të paraburgosurve pasi, ata kanë goditur dhe kërcënuar gardianët pas kontrolleve të kryera nga punonjësit e policisë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pasi ka analizuar ngjarjen, ka kërkuar në gjykatë izolim për thyerje të rregullave në qeli kërkohet edhe për Hajri Seferin, Astrit Avdylin, Altin Avdylin, Saimir Gjepalin. Kërkesa e kreut të burgjeve u shqyrtua në dhomën penale Tiranë mesditën e djeshme nga gjyqtarja Migena Laska. Gjykata pasi u njoh me kërkesën e drejtorisë së burgjeve dhe pretendimet e të burgosurve vendosi të pranojë kërkesën e këtyre të fundit, duke refuzuar izolimin e tyre për tre muaj. Kjo është hera e parë në paraburgimet e Tiranës që Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kërkon izolimin e të paraburgosurve ose të burgosurve në regjim të veçantë sigurie, ndërsa më herët një vendim i tillë është kërkuar për një të burgosur në burgun e Korçës. Të burgosurve me regjim të veçantë sigurie nuk u lejohen takim me familjarët dhe komunikimet me ta, si dhe kanë masa më të forta sigurie.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here