Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në emisionin “Debat Plus” ka thënë se Albin Kurti, Haki Abazi e Xhelal Sveçla duhet të japin përgjegjësi për futjen e tyre në dhomën e përgjimeve në PTK.
Ai thotë se në dhomën e përgjimeve ka të drejtë të hyjë vetëm kryeprokurori i vendit.
“Pse ky grup ka shkuar në dhomën e përgjimeve dhe kanë ndalë kamerat për tri ditë. Çka kërkon kryeministri në dhomën e përgjimeve? Kjo është vepër penale. Ata duhet të përballen me drejtësinë, pasi kanë bërë vepra shumë të këqija”,- tha Presidenti.
Albin Kurti para mediave, ka folur edhe për akuzat e mbrëmshme të presidentit Thaçi, se ai bashkë me Xhelal Sveçlën e Haki Abazin ka vizituar dhomën e dëshmive në Telekomin e Kosovës.
“Ato janë gënjershtra, shpifje. Problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë njëherë, duhet të gënjejnë përditë. Të gjitha ato shpifje për neve, nuk do të duhej të ishin vetëm pyetje të juaja për mua, por edhe pyetjet e kryeprokurorit për presidentin. Po e theksoj edhe njëherë se dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte të mijat. Ata kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e dëshmive, ata kanë dëshirë ta uzurpojnë pozitën e kryeministrit”, është përgjigjur Kurti ndaj akuzave të presidentit.
Ndërkaq, sa i përket takimit me Ahmetin, Kurti tha se është diskutuar për situatën e pandemisë dhe liberalizimin e masave.
“Diskutuam se si mund t’ia dalim nga kjo krizë shëndetësore me sa më pak pasoja e humbje në këtë moment shumë të rëndësishëm. Tash që po i liberalizojmë masat, është e domosdoshme që ta shtojmë vigjilencën. Pra kurrë nuk mjafton të përsëriten masat për mbajtjen e distancës, higjienës dhe mos-praktikimin e vizitave familjare. Si qeveri në detyrë bashkëpunojmë me të gjitha komunat, e në veçanti me Prishtinën, andaj edhe gjatë muajit qershor ne do të bashkërendohemi që liberalizimi i masave të jetë sa më efikas”, tha Kurti.








































