“Pas sezonit veror çdo e diel do të jetë pa makina”/ Edi Rama: Marrin fund kufizimet e orareve në fundjavë, në qershor hapen plazhet

0
329

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije ditën e djeshme se do të marrin fund kufizimet e orareve në fundjavë. Rama theksoi se fundjava që lamë pas, është fundjava e fundit me kufizime, kësisoj nga dita e sotme, fundjavat nuk do të jenë më të bllokuara. Por sakaq, Rama sqaroi se fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe dy fundjava të tjera. “Kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve dhe orareve në Tiranë dhe në qytetet tona. Por fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe dy të shtuna e të diela për tu rikthyer pas sezonit të verës ku çdo të diel minimalisht nga tetori deri në marsin e ardhshëm, si një moment të përjavshëm si një moment duke iu kushtuar mjedisit, të moshuarve dhe fëmijëve e familjeve tona”, ka deklaruar dje përmes një video mesazhi Rama.

Ja kur hapen plazhet

Kryeministri Edi Rama sqaroi edhe pjesën e hapjes së plazheve. Ai bëri me dije se plazhet do të hapen pas 1 qershorit për hotelet, ndërsa më datë 10 edhe për qytetarët. Sakaq ai sqaroi se nga data 1 qershor do të hapen edhe kufijtë tokësor për shqiptarët. “Duke nisur nga e hëna, 1 qershor do të hapim kufijtë tokësor për të gjithë shqiptarët. Por nuk do të hapim plazhet. Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë hapur plazhet. Do hapim plazhet pas 1 qershorit për hotelet dhe më datë 10 qershor për të gjithë qytetarët. Fundjava pa makina do të mbetet edhe dy javë”, është shprehur shefi i qeverisë.

Transporti urban

Sakaq, kryeministri Rama njoftoi qytetarët se në fund të muajit do të paraqesin strategjinë e re të transportit publik, ku do të bëhet dhe hapja e tij pjesë-pjesë, duke garantuar shëndetit dhe rritur cilësinë e këtij shërbimi me garantimin direkt të shtetit. “Deri në fund të muajit do të hapim transportin publik, por pjesë – pjesë. Shumë shpejt do të publikojmë planin tonë për rimëkëmbjen ekonomike. Duam që vitin e ardhshëm të shënojmë ecje përpara. Do të nisim edhe transformimin social e urban në zona si Durrësi, Thumana, Shijaku etj. Duam të mbyllim aeroportin e Vlorës, Sarandës. Do kemi nisur punën në terren edhe në Lezhë, në disa zona të Vlorës. Duhet durim dhe besim. Ne nuk jemi më të mirët, por më mirë se ne nuk ka. Shqipëria është bërë vend më i respektuar nga se ishte më përpara”, ka sqaruar Rama.

Plani për rimëkëmbjen ekonomike

Kryeministri Rama tha se, synimi i qeverisë është që, në 4 mujorin e fundit të viti të vendoset rimëkëmbja ekonomike familjare dhe e shtetit. Kjo tha ai do të bëhet me planin e ri kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike dhe vitin tjetër të kalohet ky ngërç ekonomik i krijuar si pasojë e pandemisë. “Shumë shpejt do të paraqesim planin e ri kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale me qëllim që 4 mujori i fundit të këtij viti të kthejë normalitetin e të ardhurave për familjet, ekonominë dhe shtetit Dhe viti i ardhshëm të shënojë një kapërcim të ri përpara falë paketës së re tërësore të këtij plani të ri kombëtar”, u shpreh Rama gjatë videomesazhit.

Përgjigjet ndaj kritikave

Ndër të tjera kryeministri iu përgjigj edhe kritikave që i janë bërë për mbylljen e fundjavës. Ai është shprehur se fundjava mbyllet si pasojë e dyndjes së njerëzve të cilët janë pushim në fundjavë. “Shumë komentuar nga padituria shajnë e mallkojnë për fashën e orarit. E gjithë dinamika e kësaj lufte që do të njëjtë gjithnjë e më shumë betejë me veten në radhë të parë varet nga niveli i ekspozimit të popullatës ndaj virusit. Faza dy nisi me lehtësi me zona dhe fasha të ndryshme dhe nuk është më e vështirë për t’u kuptuar se dita e shtunë dhe diel ka një rrezik më të madh ekspozimi, pasi ka dyndje të makinave dhe qytetarëve”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here