Gjykata ka vulosur kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e pezullimit nga detyra për Luan Dacin, ky i fundit gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për gjyqtarin Luan Daci. Dy avokatët e gjyqtarit Luan Daci, Jordan Daci dhe Andi Dura, deklaruan se do të ankimojnë vendimin e SPAK për pezullimin nga detyra të gjyqtarit. Sakaq dy avokatët u shprehën se gjyqtari nuk ka kryer asnjë vepër penale. Ndërkohë, Daci ka fshehur në formular faktin që në vitin 1997 ishte shkarkuar për paaftësi. Sakaq avokati Jordan Daci është shprehur se, ligjërisht nuk kishte asnjë detyrim dhe se do të ankimojnë vendimin. “Kishte detyrim për të deklaruar çfarë thotë formulari. Nuk ka vepër penale fare. Ligjërisht nuk ka pasur asnjë lloj detyrimi për ta thënë, cënohet e drejta e lirisë së mendimin. Nëse mendoni se jeni gazetare e zonja në CV dhe nuk rezulton kështu, atëherë i bie që të futeni në burg? Të lexojnë mirë Kushtetutën ata që bëjnë këtë procedurë. Një vendim gjyqësor të pezullojë presidenti, kryeministrin atëherë mirë se erdhët në Shqipëri”, u shpreh Jordan Daci. Sakaq, ndryshe nga seanca e kaluar, edhe pse kishte dorëzuar një raport 15 ditor, gjyqtari Daci ka qenë ditën e djeshme në gjykatë. Daci u paraqit në gjykatë, pasi nëse nuk do ishte i pranishëm, i humbej mundësia për të ankimuar. Pas këtij vendimi KPA ka pezulluar proceset ku është anëtar Daci dhe do vijohet vetëm me çështjet ku ai nuk bën pjesë.
Daci shtyu ballafaqimin
Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci nuk u paraqit të premten në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku ishte parashikuar komunikimi i masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës. Në seancë ishte i pranishëm përfaqësuesi ligjor i Dacit, avokati Andi Dura, i cili i paraqiti gjyqtares Daniela Shirka arsyet e mosparaqitjes së Dacit. Burime zyrtare të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar thanë për mediat se, avokati Dura paraqiti në seancë një raport mjekësor dyjavor sipas të cilit anëtari i KPA i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. “Në këto kushte, gjykata e shtyu seancën për më datë 24 maj, të dielën, në orën 12:00, duke mundësuar zhvillimin e seancës së komunikimit të masës së pezullimit 5 ditë nga marrja e saj”, shpjegoi gjykata. Ndërsa SPAK, njoftoi të mërkurën, më 20 maj se, Luan Daci ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit të tij për pozicionin si gjyqtar i KPA-së. Sipas SPAK, nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar se Daci në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë masa disiplinore ″largim nga puna” në vitin 1997. Prokuroria e Posaçme e akuzon gjyqtarin Daci për falsifikim të dokumenteve, ndërkohë që një masë sigurie për pezullimin e tij nga detyra në KPA u miratua më parë nga Gjykata e Posaçme. Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit, Luan Daci arriti të kalonte filtrat e Avokatit të Popullit, ONM-së dhe Kuvendit vetëm një vit pasi ishte skualifikuar nga një garë për gjyqtar në KLD për shkak të shkarkimit të vitit 1997 – duke siguruar një post në institucionin më të lartë të vetingut. Sakaq disa të dhëna tregojnë se zgjedhja e Luan Dacit në kundërshtim me kriteret formale në Kolegjin e Apelimit, u bë vetëm një vit pasi atij iu refuzua një kërkesë për t’u emëruar në Gjykatën e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me arsyen se ai ishte shkarkuar më parë nga gjyqësori.