Regjisori i njohur Gëzim Kame, u shpreh se nevoja për ndërtimin e një teatri të ri ka qenë një kërkesë e hershme e aktorëve dhe regjisorëve.
Kame, i cili ka qenë edhe drejtor i këtij teatri tregon edhe një moment kur mori premtimin nga ish-presidenti Sali Berisha për një teatër të ri.
“Unë mbaj mend, që kam qenë i ftuar në ambasadën bullgare në 1996, në grupin e njerëzve që ishim aty, ishte dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha dhe kryeministri Aleksandër Meksi dhe personalitete të tjera. Ndërkohë presidenti kalon pranë meje, njiheshim, na respekton shumë si artistë, më jep dorën, më pyet ‘si je Gëzim?’
Dhe shfrytëzova rastin, i thashë: ‘Çfarë do bëjmë me atë teatrin tonë?’ ‘Do ta bëjmë’, më tha. ‘Do bëjmë një takim?’, e pyeta. ‘Patjetër, – më tha, – edhe unë e mendoj që nuk rrihet në atë teatër’. Edhe iku, vazhdoi punën e tij”, tha Kame për Report Tv.