Për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19 qeveria shqiptare ka aplikuar dy paketa ekonomike, të cilat do u vinë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Në lidhje me këtë gjë, foli ditën e djeshme në Kuvend ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili është edhe përgjegjës për përballimin e COVID-19. Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Ahmetaj u shpreh se në paketën financiare për përballimin e situatës së COVID-19 janë futur edhe 22 mijë familje që kishin dalë nga mbështetja e asistencës për shkak të pikëzimit. Ministri i Shtetit për Rindërtimin theksoi se janë 17 mijë aplikime që janë aprovuar deri tani për përfitimin e paketës financiare. “Mbi 52 mijë qytetarë kanë marrë pagën e parë të luftës, sot janë 11 mijë me paketën e dytë të aprovuar, janë 150 milionë dollarë kamat vonesat, janë 100 milionë dollarë që është instrumenti i garancisë, të gjitha bankat e kanë firmosur. Sot janë 72 aplikime të aprovuara për mbështetje për pagën nga bankat dhe së fundmi është 4.4% e prodhimit të brendshëm bruto në një shtet që nuk është i pasur. Doni të bëni transparencë se ku shkojnë paratë, po jua them me bindje dhe me përgjegjësi zyrtare tek qytetarët që kanë më shumë nevojë nga të gjithë. Sot kryeministri ka vendosur që të avancojë paketën me një shtesë për familjet në nevojë, të cilat kanë dalë për arsye të pikëzimit vitin e kaluar nga mbështetja e asistencës sociale dhe janë gati 22 mijë familje. Janë 52 mijë qytetarë që kanë marrë pagën e luftës dhe janë aprovuar 17 mijë aplikime të aprovuara nga paketa e dytë, 40 mijë lekëshi, që përfitojnë mbi 37 mijë punonjës”, u shpreh Arben Ahmetaj.
Benefitet
Në mbrëmje ministri Ahmetaj ishte dhe në studion e “Opinion”. Ai dha aty më shumë detaje mbi paketën e ndihmës dhe planin e qeverisë për javën që vjen. Sipas tij, të gjithë naftëtarët që kanë protestuar do të marrin nga qeveria bonusin prej 40 mijë lekësh të reja. “Sot kemi hartuar një vendim që bëhet nesër aktiv për pagë lufte për naftëtarët e Ballshit. Do të marrin 40 mijë lekshin. Brenda të njëjtit vendim është një kategori e të gjithë familjeve që kanë aplikuar për ndihmë ekonomike por që nuk janë pranuar dhe ato që kanë hyrë dhe kanë dalë, tani kësaj kategorie do ti jepet një pagë, dyfishi i ndihmës ekonomike, 160 mijë lekë të vjetra”, tha Ahmetaj. Më tej, ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe koordinatori i ekonomisë për koronavirusin, Arben Ahmetaj i është përgjigjur pyetjes së një qytetari lidhur me kreditë dhe mundësitë e shtyrjes së tyre edhe për tre muaj. Sipas Ahmetaj, ky vendim pritet të merret javën e ardhshme, me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. “Cila është logjika? Logjika është kjo. Nëse ty të shtyhet pagesa e kredisë në maj, atëherë natyrshëm pyet: po unë s’po punoj si do të paguaj kredinë? Kryeministri pasi ka lexuar kërkesat, ka kërkuar që javën tjetër të bëhet sërish me guvernatorin një shtyrje tjetër kredish, në mënyrë që t’u jepet kohë. Do të shtyhet edhe tre muaj të tjerë. Që t’u japim mundësi të gjithë qytetarëve që të kenë dy apo tre muaj punë që të paguajnë kredinë”, u shpreh ai.
Ja kush biznes përfitojnë pagën e luftës
Ndërkohë, ministri i ngarkuar për situatën ekonomike të koronavirusit, Arben Ahmetaj, ka treguar se nëse dikush punon në dy biznese dhe njëri prej tyre rezulton i hapur, atëherë nuk e përfitojnë pagën e luftës që jepet nga qeveria. Teksa u pyet për rastin e një qytetari që punon në dy biznese, ku njëri rezulton i hapur por nuk punon dhe tjetri është i mbyllur, Ahmetaj tha se ky rast duhet rishikuar. Rregulli është se nëse ti je i punësuar në një aktivitet që rezulton i hapur nuk përfiton. Është interesante kjo që thotë se njëri është i mbyllur, ndërsa tjetri është i pezulluar. Sistemi është shumë i rregullt pasi skualifikon në këtë rast, por duhet rishikuar”, tha ai. Më tej, lidhur me banesat e dëmtuara për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit, zoti Ahmetaj zbuloi se 3400 shtëpitë do të ndërtohen brenda këtij viti.“Ne kemi filluar punë për rindërtimin. 3400 shtëpitë do të ndërtohen brenda këtij viti. Ne nesër fillojmë në të gjithë zonën e dëmtuar me shkollat. Sot që flasim po bëhen projektet e detajuara të banesave kolektive. Puna fillon në fund të qershorit maksimumi në mes të korrikut, ndërsa puna për njësitë individuale, menjëherë javës që vjen hidhet sërish për prokurim”, sqaroi ai.