Azili i Libohovës karantinë për shqiptarët që vijnë nga Greqia/ Kryebashkiakja: S’ka rrezik për përhapje të virusit

0
419

Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, njofton se bashkia që ajo drejton  është përfshirë në hartën e bashkive të tjera të qarkut, ku po strehohen përkohësisht shqiptarët e kthyer nga Greqia, në këtë periudhë të vështirë të përhapjes së koronavirusit.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kryebashkiakja Mandi siguron qytetarët se nga strehimi i emigrantëve nuk ka asnjë rrezik, pasi do të strehohen ata që nuk janë të infektuar me COVID-19, ndërsa kush është i infektuar niset direkt drejt Spitalit Infektiv në Tiranë.

Mesazhi i kryebashkiakes:

🔴 Prej mbrëmjes së kaluar Libohova është përfshirë në hartën e bashkive të tjera të qarkut, ku po strehohen përkohësisht shtetas shqiptarë të kthyer nga Greqia përmes Kakavijës, të cilët e kanë të detyruar të qëndrojnë të karantinuar për 14 ditë.

🔴 Kjo është një masë e domosdoshme e përcaktuar nga ekspertët për të parandaluar përhapjen e Covid-19. I vetmi ambient i përshtatshëm në Libohovë ishte shtëpia e të moshuarve, që ne e kemi vënë në dispozicion të kësaj gjendje të jashtëzakonshme. Momentalisht janë strehuar 4 persona, mes tyre edhe një grua. Mbase në ditët e ardhshme do të ketë persona të tjerë, gjithmonë duke iu përmbajtur kapaciteteve që ofron kjo rezidencë.

🔴 Dëshiroj të sqaroj bashkëqytetarët dhe opinionin publik, se nuk ka asnjë rrezik për Libohovën ky angazhim humanitar. Po bën të njëjtën gjë Gjirokastra, Dropulli, Përmeti e Tepelena si qytete pranë portës hyrëse me Greqinë. Ata që karantinohen në këto objekte publike apo private, nuk janë persona të infektuar me Covid-19, por për shkak të protokolleve mjekësore është parë e udhës që të qëndrojnë të karantinuar për dy javë. Qarku Gjirokastër si rajon kufitar me Greqinë, do të mbajë barrën e gjendjes së krijuar në Kakavijë për shkak të izolimit.

🔴 Kush mund të rezultojë bartës i virusit shkon direkt në Spitalin Infektiv, s’ka se si të qëndrojë në Libohvoë apo ambiente të tjera të qarkut. Unë e mirëkuptoj shqetësimin që mund të ketë dikush, por ky është momenti t’i thërrasim arsyes dhe jo emocioneve e aq më keq panikut, i cili është aleati më i keq në këtë pandemi. Kjo situatë e vështirë që po kalon mbarë bota, përveçse na kërkon të jemi vigjilentë e të respektojmë masat kufizuese, duhet gjithashtu edhe të tregohemi solidarë me bashkombasit tanë.

🔴 Libohova do të bëjë pjesën e vet në këtë angazhim të rëndësishëm. Kjo është një dëshmi e qartë e përgjegjshmërisë që ne po tregojmë karshi kësaj situate dhe besoj se është vlerë e shtuar në gjithë përpjekjen e përbashkët për të dalë të fituar nga pandemia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here