Google search engine
Home Politike Mazhoranca pranon propozimet e presidentit për Kodin Penal, kujdes ja si ashpersohen...

Mazhoranca pranon propozimet e presidentit për Kodin Penal, kujdes ja si ashpersohen denimet

0
339

Mazhoranca qeverisës ka votuar sot ndryshimet në Kodin Penal. Pavarësisht debateve dhe kritikave për këto ndryshime, ato u miratuan me 88 vota, 13 kundër dhe 1 abstenim.

Por ajo që bie në sy është se kemi një qetësim të ujërave në marrëdhëniet mes presidentit dhe kryeministrit. Mazhoranca e hodhi poshtë variantin e saj dhe hodhi në votim propozimet e presidentit Meta, i cili kërkonte ulje të dënimeve me burg. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, deklaroi se varianti i presidentit ka marrë mbështetjen të grupeve parlamentare të opozitës dhe të grupit socialist. Nga 15 vite që parashikohej dënimi më i lartë, ka zbritur në 8 vite. 

Në seancën e sotme plenare të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, votimi nga deputetët nuk u bë si zakonisht. Ligjvënësit nuk votuan me anë të kartonëve, por në një fletë që mbante emrin e çdo deputeti, e cila kishte tre alternativat, po, jo dhe abstenim. Votimi ndodhi gjatë kohës që kryeministri Edi Rama po fliste në foltoren e Kuvendit, ndërsa më pas fletët e votimit u futën në kuti. Votimi me kuti u vendos për shkak se nuk votohej dot me elektronikë, pasi deputetët ishin të shpërndarë edhe në lozha. Gjatë gjithë këtyre ditëve nisma e shumicës socialiste për të ashpërsuar masat dhe dënuar me burg të gjithë ata qytetarët që shkelin rregullat e karantinës ka shkaktuar mjaft debate, ndërkohë që opozita parlamentare kishte deklaruar votën kundër këtyre ndryshimeve. Megjithatë, pavarësisht kundërshtive të shfaqura nga opozita, ndryshimet në Kodin Penal kaluan, pasi mazhoranca i siguroi votat e nevojshme.

Kujtojmë që përmes këtyre ndryshimeve në Kodin Penal, ashpërsohen dënimet për ata që thyejnë urdhrat gjatë gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë nga koronavirusi. Sipas propozimeve, kush nuk u bindet rregullave dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Ndërsa nëse shkelja përsëritet, shkon nga 1 muaj deri në 1 vit burg, por nëse kjo rrezikon jetën ose shkakton vdekjen e një personi tjetër, dënimi bëhet nga 1 deri në 5 vjet.  Ndërkohë, kush shkel rregullat e karantinimit dënohet jo vetëm me 700 mijë lekë gjobë, por me burg deri në 10 vjet nëse i transmeton virusin dikujt tjetër. Nëse nga kjo shkelje, shkohet vdekja e një personi dënimi arrin deri në 15 vjet.

VARIANTI FINAL I KODIT PENAL

Neni 242/1

Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë zbatimit të masave të

jashtëzakonshme apo gjendjes së epidemisë

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative dhe pa një shkak të ligjshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik të shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vite.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose vetizolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose izolimit nga personi mbartës, ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar individualisht ky detyrim nga autoritetet përkatëse shëndetësore, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.

Neni 89/b

Përhapja me dashje e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostifikuar si mbartës i sëmundjes, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohen me gjobë deri në burgim me 2 vite.

Kur nga vepra, është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here