Kuvendi i Shqipërisë do ti rikthehet punës pas më shumë se një muaj. Pandemia nga COVID-19 ka bërë seanca plenare të zhvillohet nën masa strikte për sigurinë e deputetëve. Por gjithashtu ligjvënësit do të kenë edhe një axhendë të ngjeshur të çështjeve që do të trajtohen.
Sipas axhendës, mësohet se në dy orët e seancës do të diskutohen plot 24 çështje. Ashtu siç është bërë me dije, gjatë ditës së nesërme pritet të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Penal, që parashikojnë burg për thyerjen e karantinës. Kuvendi do të ndryshojë rregulloren e tij, duke bërë të ligjshme mbledhjet dhe votimet online të seancave parlamentare, si dhe do të miratojë 12 Akte Normative të qeverisë që përmbajnë masat shtrënguese në kuadër të luftës ndaj COVID 19, si dhe dy dekretet e kthyera nga presidenti Ilir Meta, për Anti-KÇK dhe ligjit të pronave.
Por një tjetër çështje kryesore që do të diskutohet nesër është edhe shtyrja e afateve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta deri në fund të korrikut. “Në vendimin e Kuvendit nr. 84/2019 “ Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, si dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues” i ndryshuar bëhet ndryshimi i mëposhtëm: Pika VI ndryshohet si më poshtë: “VI. Afati i veprimtarisë së Komisionit Hetimor zgjatet deri me 31.07.2020. IV. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në projektvendimin e Kuvendit.
Po ashtu, Parlamenti do të zgjasë deri në muajin qershor diskutimet dhe miratimin e reformës zgjedhore. “Të zgjatë afatin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore deri më 30 Qershor 2020. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në projektvendim.









































