Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e sotme në zonën e ‘Xhamlliku’ në Tiranë ku mbetën të plagosur 2 persona.
Pasi polici i forcave ‘Shqiponja’ i kërkoi një qytetari mjetin e identifikimit, ky i fundit i drejtoi armën policit. Pasi e kërcënoi policin me armë dhe tentoi të largohej nga vendngjarja, autori u qëllua me armë në këmbë nga efektivi, ku fatkeqësisht mbeti e plagosur edhe një kalimtare e rastit.
Ndërkohë është zbuluar identiteti i autorit që shkaktoi ngjarjen e rëndë sot në Tiranë. Mësohet se bëhet fjalë për Orges Bilbilin, i cili nuk është një emër i panjohur për organet e drejtësisë.
Në fakt Orges Bilbili është i akuzuar si autor i masakrës së Lushnjes së bashku me Laert Haxhiun. Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, janë të akuzuar për një sërë vrasjesh dhe ngjarje të tjera të rënda.
Bilbili bashkëpunëtori i Laert Haxhiut në vrasjet Lushnjë në 2017, rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike.
Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili. Telashet për Bilbilin nuk përfundojnë këtu, pasi ai akuzohet edhe si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato, avioni i të cilit, ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali.











































