Për shkak të pandemisë globale të krijuar nga COVID-19, ditën e sotme Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë përcaktuan planet për një reagim të fuqishëm dhe të synuar të BE-së për të mbështetur përpjekjet e vendeve partnere në trajtimin e e kësaj pandemie. Veprimi kolektiv i BE-së do të përqendrohet në trajtimin e krizës së aktuale në shëndetësi dhe nevojave humanitare që vijnë prej saj, forcimin e sistemeve të shëndetësisë, ujit dhe kanalizimeve të vendeve partnere, si dhe kapaciteteve të tyre kërkimore dhe të gatishmërisë për t’u marrë me pandeminë, si dhe për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik. Për të mbështetur këto veprime, BE-ja do t’ju sigurojë vendeve partnere mbështetje financiare që arrin në më shumë se 15.6 miliardë Euro nga burimet ekzistuese të veprimit të jashtëm.
Për shpërndarjen e paketës së BE është vendosur që 502 milionë euro për veprimet e reagimit ndaj emergjencës të përqendruara ndër të tjera në ofrimin e ndihmës së menjëhershme humanitare në vendet e prekura dhe rritjen e prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes personale dhe pajisjeve mjekësore në Evropë. Ndërsa 2.8 miliardë Euro për të mbështetur sistemet e kërkimit, shëndetësisë dhe ujit, BE-ja, ndër të tjera, po i mbështet vendet partnere për ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme dhe reaguese të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, si dhe mbështetjen e kërkimit për diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin.
Në Shqipëri, 4 milionë Euro janë kontraktuar tashmë për furnizimin me pajisje mjekësore të shpëtimit të menjëhershëm të jetës. BE-ja ka krijuar partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit, në mënyrë që kjo mbështetje të sigurojë artikujt e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur (ventilatorë, ambulanca, aparatura portative për ekzaminimin me rreze x, shtretër për Njësitë e Përkujdesjes Intensive, si dhe materiale mbrojtëse dhe dezinfektantë për punonjësit e kujdesit shëndetësor). BE-ja do të sigurojë gjithashtu 46.5 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
Në Ballkanin Perëndimor, BE-ja ka mobilizuar ndërkaq fonde të konsiderueshme për mbështetje të menjëhershme të sektorit të shëndetësisë që arrijnë në 38 milionë Euro. Për më tepër, mbi 374 milionë Euro janë rialokuar për t’i ndihmuar partnerët të zbusin ndikimin socio-ekonomik të pandemisë. Kjo do të ndihmojë për të trajtuar ndikimin socio-ekonomik të epidemisë, në veçanti për bizneset më të prekura, përfshirë kompanitë që punojnë në sektorët e turizmit dhe transportit. 290 milion Euro shtesë do të ndihmojnë gjithashtu për rimëkëmbjen socio-ekonomike të të gjithë rajonit. Po ashtu, prokurimi i infrastrukturës dhe pajisjeve shëndetësore në shkallë të vogël pritet të fillojë për 90 milionë Euro në Turqi. Në total, BE-ja do t’i mbështesë me 800 milionë Euro partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të përballuar koronavirusin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh se virusi që ka pushtuar botën nuk njeh kufi dhe për këtë arsye sipas saj duhet një bashkëpunim ndërkombëtar. “Virusi nuk njeh kufij. Kjo sfidë globale ka nevojë për bashkëpunim të fortë ndërkombëtar. Bashkimi Evropian po punon pa u lodhur për ta luftuar pandeminë. Të gjithë e dimë se vetëm së bashku mund ta ndalojmë përhapjen e koronavirusit në mbarë botën”, tha presidentja e Komisionit Europian. Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, deklaroi se përballimi i COVID-19 do të jetë e mundur vetëm përmes bashkëpunimit global. “Pandemia e koronavirusit kërkon reagim me veprime të përbashkëta dhe globale. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e tij Anëtare po luajnë rolin e tyre për trajtimin e kësaj krize shëndetësore dhe pasojave të saj të rënda – brenda dhe jashtë kufijve”, tha ai.
Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca tha se Komisioni Europian iu përgjigj sfidës globale për përballimin e COVID-19, duke shtuar se do vijoj punën me qeverinë shqiptare për përballimin e kësaj situate. “Sot Komisioni Evropian iu përgjigj sfidave globale që ka sjellë epidemia e koronavirusit me një paketë reagimi shumë ambicioze prej më shumë se 15.6 miliardë Eurosh. Ndërsa Bashkimi Evropian po bën çmos për të mbështetur qytetarët e tij, është gjithashtu detyra jonë t’i ndihmojmë partnerët dhe miqtë tanë. Ndikimi në vendet më të brishta, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ka të ngjarë të jetë dramatik. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me autoritetet shqiptare për t’i përballuar këto sfida të përbashkëta”, tha Soreca.








































