E gjithë bota është izoluar dhe po lufton me armikun e padukshëm COVID-19 dhe shkencëtarët po punojnë pa pushim për të gjetur vaksinën që do të na rikthejë në normalitet.
Mirëpo një deklaratë e papritur ka ardhur nga shqiptaro-amerikani Martin Shkreli, i cili ka kërkuar të lirohet nga burgu në mënyrë që të mund të punojë në gjetjen e një kure për koronavirusin.
Shkreli, një sipërmarrës bioteknologjik që vuan shtatë vite burg për mashtrim të investitorëve, kërkoi të lirohet përkohësisht për tre muaj.
Ai argumenton se një lirim nga burgu për tre muaj do ta lejonte atë të ndihmonte në zhvillimin e një kure për COVID-19, i cili ka vrarë mijëra njerëz në të gjithë botën.
“Si një sipërmarrës i suksesshëm i bioteknologjisë, unë jam një nga të paktët drejtues me përvojë në të gjitha aspektet e zhvillimit të ilaçeve nga krijimi i molekulave dhe gjenerimi i hipotezave, deri te vlerësimet preklinike dhe modeli i provës klinike, sinteza dhe vendosja e ilaçeve”, thuhet në deklaratën e tij.
Shkreli, pati një reputacion të keq pasi rriti çmimin e ilaçit anti-parazitar Daraprim nga 13.50 dollar një tabletë në 750 dollar.
Ai po mbahet në një burg federal në Allenwood, Pensilvani dhe pritet të lirohet në vitin 2023.









































