Google search engine
Home Politike Tërhiqet Ilir Meta, kalon në heshtje ligjin e dytë të paketës anti-KÇK,...

Tërhiqet Ilir Meta, kalon në heshtje ligjin e dytë të paketës anti-KÇK, paqe mes presidentit dhe mazhorancës

0
395

Duket se presidenti Ilir Meta është tërhequr nga lufta që i ka shpallur prej disa kohësh mazhorancës. Ndonëse gjatë kohës së tij në krye të Presidencës ka kthyer për rishqyrtim një sërë ligjesh, si dhe së fundmi paketën anti-KÇK me argumentin se është në shkelje të Kushtetutës si dhe nuk përmbush kërkesat e nevojës dhe urgjencës, nuk ka bërë të njëjtën gjë me ligjet shoqëruese të paketës. Ditën e sotme, ka kaluar në heshtje ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”. Ky është një nga ligjet kryesore që shoqëron aktin normativ anti-KÇK, në të cilën theksohet se si do të menaxhohen pasuritë e sekuestruara të bosëve të krimit nga shteti.

Ndonëse presidenti Ilir Meta nuk e kthehu mbrapsht për rishqyrtim, ai priti tejkalimin e afatit 20 ditor, çka e bëri të vlefshëm dhe tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare. Edhe pse Meta kishte nisur një luftë të ashpër në distancë me mazhorancën duke ia kthyer ligjet, tashmë duket se është tërhequr disi, duke dhënë një tjetër sinjal të qartë se po kërkon të vendosë një paqe mes tij dhe mazhorancës.

Duke përfituar edhe nga situata në të cilën ndodhet vendi, presidenti Ilir Meta gjatë ditëve të fundit ka takuar disa ministra të kabinetet qeveritar, por edhe disa kryebashkiak të Partisë Socialiste. Por edhe në daljet e tij për media, kreu i shtetit ka ndalur sulmet në drejtim të qeverisë dhe në çdo dalje të tij i ka thurur elozhe kryeministrit Edi Rama dhe disa ministrave të tij, duke treguar qartë se po kërkon në distancë paqen e munguar mes tyre. Por edhe mazhoranca duket disi më e tërhequr në akuzat e saj në drejtim të presidentit Meta. Duke u justifikuar me situatën në vend, por edhe me përgjigjen që pritet të vijë nga Komisioni i Venecias, socialistët e shtynë sërish shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Këto shenja janë tregues të qartë se mes mazhorancës qeverisëse dhe presidentit Ilir Meta po arrihet një paqe.

Çfarë parashikon ligji për sekuestrimin e pasurive?

Ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara” parashikon se pasuritë e krimit do të bllokohen menjëherë, pa pritur vendimin e gjykatës, ndërkohë që fati i tyre do të përcaktohen nga Agjencia e Administrimit Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara bashkë me një Komitet Ndërinstitucional të ngritur për këtë qëllim. Po ashtu, Agjencia e Administrimit të këtyre aseteve nuk do jetë më nën Ministrinë e Financave, por në atë të Brendshmen. Ndërkohë që Agjencisë i shtohen edhe kompetenca të tjera. Deri tani kjo agjenci administronte vetëm pasuritë anti-mafia, por me ligjin e ri do të administrojë edhe të krimit në përgjithësi. Ndryshime pësojnë edhe kompetencat e Komitetit ndërinstitucional, i cili ka pasur rol këshillimor, e ndërsa tani do ketë rol vendimmarrës. “Lidhur me nenin 12 të projektligjit, nga KSK është sugjeruar riformulimi i pikës 2 me këtë përmbajtje: “Administratori i pasurisë së sekuestruar, i caktuar nga Agjencia, i paraqet kërkesë të argumentuar Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar. Komiteti, autorizon veprimet e kërkuara, kur e çmon të domosdoshme për ruajtjen e vlerës së pasurisë””, thuhet në relacion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here