Google search engine
Home Aktualitet Filmi “Gjergj” me aktorët Viktor Zhusti dhe Blendi Arifi, me ngjarje në...

Filmi “Gjergj” me aktorët Viktor Zhusti dhe Blendi Arifi, me ngjarje në ditët tona

0
706

Filmi “Gjergj” i zhvillon ngjarjet në ditët tona në Tiranë. Një projekt me regji nga Klodjana Keco dhe Albana Kozeli, i cili sjell në role aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe emra të rinj. Me skenar nga Albana Kozeli rolet në film luhen nga aktori i njohur Viktor Zhusti, si dhe Blendi Arifi. Një film artistik që ka mbaruar xhirimet në Tiranë, por regjisorja Klodjana Keco tregon se ka qenë një projekt i kahershëm i skenaristes Albana Kozeli. “Pasi e lexova skenarin dhe më pëlqeu shumë Albana së bashku me producentin më ofruan, nisur edhe nga “kimia” ime me këtë skenar të bëja regjinë e tij. Sigurisht, nëse nuk do të kisha në krah Albanën, atë kast aktorësh dhe në përgjithësi atë staf bashkëpunëtorësh, unë nuk do ta kisha marrë përsipër. Në fakt, para jo më pak se një viti kur më thoshin të bëja regji filmi e përjashtoja në mënyrë kategorike si mundësi për ecurinë time profesionale. Por ditët e vitet kalokan për të na përgënjeshtruar ato që dikur i kishim të gdhendura në gur”, tregon regjisorja Keco, për këtë projket kinematografik prodhim i shtëpisë filmike “Papadhimitri Production”, me financim të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Duke folur për filmin “Gjergj” si bashkëregjisore Keco shton më tej se në qendër është historia e një burri. “Ngjarjet zhvillohen ditët tona në Tiranë. Është historia e një burri, që parandjen dhe kupton më së miri faktin se ditët e një burri mbi dhe janë të fundme”, shprehet ajo. Një film, i cili ka në role dy aktorë, dhe si regjisore Klodjana Keco e vlerëson jo pak këtë bashkëpunim. “Aktorët e këtij filmi janë profesori i nderuar Viktor Zhusti dhe një ndër aktorët më të talentuar të brezit të ri, Blendi Arifi. I pari, krahas tretjes së mrekullueshme të vetes me personazhin e Gjergjit, mua personalisht më ka dhuruar një model të përsosur (nëse e përsosura ekziston) të burrit të ditur, të thinjave fisnike dhe të njeriut të perkore që punon me vetëmohim dhe dashuri të jashtëzakonshme për këtë profesion”, tregon regjisorja. Sipas saj, aktori Viktor Zhusti mishëron më së miri gërshetimin e vlerave të së shenjtës, humanes dhe artit. Nga ana tjetër, përballë tij, në një rol “surreal” Blendi Arifi i tha një dritë tjetër filmit “Gjergj”. “Me inteligjencën e tij dëshmoi se një aktor inteligjent, sado i ri të jetë, e kupton më së miri edhe humorin, edhe dramën, dhe pse jo edhe një dimension përtej njerëzores”, thotë Keco.

Puna me kinematografinë

Me aktivitetin e saj në kinema dhe teatër Klodjana Keco shprehet se ka qëndruar pranë profesionistëve, gjë që e ka ndihmuar në aktivitetin e saj artistik. Keco thotë se ka qenë e bekuar ta shohë teatrin dhe kinemanë nga këndvështrime të ndryshme. “Kam patur rastin të qëndroj pranë autorëve që në momentin e ngjizjes, pranë regjisorësh si asistente, pranë producentëve si asistente produksioni dhe pranë montazhierëve në momente montazhi. Jam marrë me përzgjedhjen e kastit të aktorëve në disa filma, kam aktruar vetë dhe së fundmi u mora edhe me regjinë. Gjithë këto prizma, por edhe bashkëpunimi me njerëz të mrekullueshëm më kanë ndihmuar të shoh qëllimin final të kinemasë apo teatrit, së paku sipas meje”, shprehet ajo. Në reagimin e saj regjisorja Klodjana Keco gjithashtu uron që kjo situatë, që nuk është aspak e lehtë për shkak të Covid-19 të kalohet sa më shpejt. “Uroj që të kufizohet sa më shumë përhapja, të kemi sa më pak raste fatkeqësish, të gjendet kura dhe vaksina sa më shpejt të jetë e mundur! I lutem Zotit që me ngrohjen e temperaturave t’i japë fund mrekullisht siç ka ndodhur edhe me koronaviruset e tjerë para këtij. Uroj që edhe ne si njerëz të bëhemi më të mirë, e të kujdesemi më shumë për njeri-tjetrin”, shprehet ajo. Filmi “Gjergj” me financim nga QKK është një tjetër premierë që pritet për publikun, ku këtë herë pas roleve në kinema Keco vjen si regjisore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here