Kryeministri Edi Rama ka treguar sot disa detaje rreth mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, të thirrur nga Presidentit Ilir Meta, ku ishte i pranishëm virtualisht edhe Lulzim Basha.
‘Kemi pasur një shkëmbim shumë pozitiv dhe një sens dëgjimi, pavarësisht se nuk kemi qenë dakord me të gjitha. Pra edhe me kreun e PD kemi shkëmbyer dhe kemi dëgjuar me kujdes njëri tjetrin. Sikur toni dhe gatishmëria e përfaqësuesve politikë të ishte siç ishte në atë takim, ju siguroj se politika do të ishte shumë më pak interesante për ata që e shikojnë si humbje kohe skandaloze.
Unë i kam thënë kreut të PD se kjo është luftë dhe në luftë lihen armët mënjane dhe bashkohen forcat me një qëllim, që është mbrojtja e jetës së njerëzve dhe fitorja e luftës me sa më pak viktima.Kjo do të thotë se përpara se të ngrihen shqetësime në publik ato duhen filtruar. Unë i kam thënë që ne jemi ta gatshëm të japim informacion për çdo gjë që atyre i duket shqetësuese. Nëse shpjegimet tona nuk i duken bindëse mund ti ndajnë me publikun, për të shmangur shfaqej të cilat në kohë paqeje janë të padenja. Ndërsa në kohë lufte janë të dënueshme, moralisht si faje që marrin formën e krimit. Siç ishte rasti i tollovitjes, siç ishte rasti i maskave.’- tha Rama për Ora News.








































