Presidentit Ilir Meta i është rikthyer luftës me mazhorancën. Pas disa ditësh qetësie, Meta duket se ka rinisur lojën me kthimin ligjeve, pasi ka dërguar për rishqyrtim në Kuvend edhe aktin normativ për Operacionin Forca e Ligjit, ose i njohur si ligji kryesor i paketës anti-KÇK. Gazeta “SOT” ka siguruar dekretin e presidentit për kthimin pas të ligjit, i cili tashmë është depozituar në Kuvend. Meta ka renditur 9 arsye se përse po e kthen pas ligjin.
Sipas tij ky akt normativ me fuqinë e ligjit: Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave; Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve; Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë; Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës; Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese; Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale. “Akti Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, i miratuar me Ligjin nr. 18/2020 është miratuar në kundërshtim flagrant me nenin 101 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Akti normativ me fuqinë e ligjit nuk është nxjerrë në kushtet e urgjencës apo të një boshllëku legjislativ, kërkesa këto që diktohen nga parashikimet e nenit 101 i Kushtetutës. Miratimi i këtij akti normativ në shkelje të procedurës kushtetuese dhe të disa të drejtave dhe parimeve themelore të mbrojtura nga Kushtetuta”, thuhet në dekret.
Më tej presidenti pretendon se akti normativ bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sipas tij, Neni 7 i Kushtetutës sanksionon se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.” Më tej Meta shprehet se akti normativ nr.1, datë 31.01.2020, i miratuar me ligjin nr. 18/2020, cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar.
Po ashtu ai pretendon se akti normativ, i cili u cilësuar i një rëndësie të veçantë nga qeveria për të goditur pasuritë kriminale, shkel nenin 30 i Kushtetutës, që sanksionon parimin e prezumimit të pafajësisë, parim që mbrohet edhe nga Neni 6 (2) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Neni 11 (1) i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, si dhe neni 41 i Kushtetutës. “Subjektet që i nënshtrohen këtij akti normativ, edhe pse janë nën një proces penal hetimor dhe ndaj tyre nuk ka një vendim të formës së prerë, sipas dispozitave të aktit normativ, i nënshtrohen disa masave që kalojnë masën e proporcionalitetit dhe nuk përkojnë me procedurën që dikton Kodi i Procedurës Penale apo legjislacioni në fuqi. Gjithashtu, shkelja e nenit 101 të Kushtetutës në miratimin e këtij akti, që përcakton rregulla dhe afate të sanksionuara në Kodin e Procedurës Penale, dhe ligje të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, ka shkelur për pasojë nenet 81, paragrafi 2, 83, paragrafi 3, dhe 116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, pretendon Meta. dekreti në fjalë mban datën 26 mars, por nuk është publikuar në media nga Presidenca, por është dërguar direkt në Kuvend.










































