Miratohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ja si do të bëhet administrimi i pasurive të sekuestruara nga OFL

0
379

Komisioni i Sigurisë miratoi dje ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale duke i hapur rrugë Strukturës së Posaçme të Sekuestrimit, pjesë e paketës ligjore anti-KÇK. Kryetarja e komisionit, Felaj sqaroi se ndryshimet që propozohen në Kodin e Procedurës Penale janë ato që pasojnë ndryshimet që u bënë në Ligjin për Administrimin e Pronave të Sekuestruara. “Sipas atij ligji Agjencia do të marrë në administrim edhe sendet që janë provë materiale, por që normalisht për gjykatën, prokurorinë dhe Policinë jo pak herë, sekuestrimi i tyre, ka rezultuar problematike përsa i takon administrimit”, vijoi Felaj. Për të prezantuar ndryshimet e propozuara në komision ishte i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë, Besmir Beja, i cili vuri në dukje se ndryshimet që propozohen, vijnë në kuadrin e paketës anti-KÇK. “Qëllimi i këtij projektligji është të bëhet i mundur sanksionimi si vepër penale e posedimit të pasurive për të cilat është vendosur konfiskimi. Nëpërmjet këtij projektligji synohet sigurimi i administrimit nga një organ i posaçëm dhe njohja e të drejtës së organit administrativ për t’i paraqitur kërkesën organit procedues për tjetërsimin ose asgjësimin e provave materiale”, theksoi Beja. Javën që lamë pas në Parlament u miratuan edhe ndryshimet në ligjin “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, pasuritë e krimit do të bllokohen menjëherë, pa pritur vendimin e gjykatës, ndërkohë që fati i tyre do të përcaktohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara bashkë me një Komitet Ndërinstitucional të ngritur për këtë qëllim. “Nëpërmjet këtij projektligji do të bëhet i mundur miradministrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga institucioni i posaçëm dhe organi kolegjial administrativ si dhe do të administrohen e kalohen në pronësi të shtetit provat materiale, sipas përcaktimeve të parashikuara”, tha zv/ministrja Rovena Voda javën që lamë pas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here