Vllaznia fiton “Klasiken” e basketbollit me Tiranën, Teuta braktis ndeshjen me Gogën

0
431

Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Durrës, në sallën sportive “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, ku në derbin midis Goga Basket dhe Teutës, kjo e fundit ka braktisur ndeshjen, me justifikimin zyrtar të presionit të ushtruar në dëm të ekipit të tyre dhe për pasojë ndeshja nuk është zhvilluar. E në këtë mënyrë, ndeshjen sipas rregulloreve e fiton Goga në tavolinë, me shifrat 20-0. Përveçse Teuta del me zero pikë nga kjo përballje, ajo pritet të marrë masa të rënda ndëshkimore sipas rregulloreve të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Edhe pse zyrtarisht përmendet presioni dhe prania e forcave të shumta policore, duket se shkak për braktisjen e ndeshjes është bërë një përplasje midis presidentëve të skuarave, por kjo mbetet për t’u verifikuar hap pas hapi. Edhe pse organizatorët kanë pritur mbi 30 minuta që Teuta të kthehej në parket, kjo nuk ka ndodhur dhe më në fund, trupa e gjyqtarëve, me E.Koçin, G.Hoxhën dhe E.Gjonin ka vendosur të largohet, e për pasojë mbi Teutën do të bjerë dora e rëndë e disiplinës së FSHF-së.

Qëndrimi i komisarit të ndeshjes

Në fillim ka reaguar për mediat komisari i ndeshjes, Fuat Vjerdha, i cili, duke lënë jashtë analizës së tij shkakun e vërtetë të braktisjes së ndeshjes nga Teuta, është fokusuar vetëm zyrtarisht në procesverbalin e takimit. “Ndeshja nuk u zhvillua, sepse Teuta nuk u paraqit në fushën e lojës, edhe pse kemi pritur mbi 30 minuta”, u shpreh shkurt Vjerdha. Deri vonë në mbrëmje dje nuk pati reagim të Federatës Shqiptare të Basketbollit, e cila me siguri që do të dalë sot me një njoftim zyrtar për këtë ngjarje të rëndë, ku një prej ekipeve elitare dhe pretendente për titull, si Teuta, të braktisë ndeshjen. Nga ana tjetër, ka shumë paqartësi për shkaqet e vërteta që çuan Teutën deri në këtë vendim radikal. Një vendim që mund ta nxjerrë Teutën nga gara për titull, pa harruar penalitetet financiare.

Reagimi i Teutës

E ndërsa komisari dha një sqarim të shkurtër për ndeshjen e braktisur, duket se vetë Teuta ka shfaqur versionin e saj të largimit, duke e lidhur me presionin e madh që është ushtruar në dëm të saj, por edhe praninë e forcave të shumta policore që sipas klubit durrsak të basketbollit ishin trysni në dëm të ekipit të tyre. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Teuta thekson se gjithçka nisi me moslejimin e stafit drejtues të shoqërojë ekipin, mosdhënien e biletave për klubin mik, si dhe forcat e shumta policore. Ndaj Teuta ka qenë e detyruar të largohej duke i kërkuar falje tifozerisë, ndërsa, sipas durrsakëve, kanë qenë në kushtet e një presioni të madh. Mirëpo në këtë drejtim tashmë është dëmtuar imazhi i basketbollit shqiptar. E për këtë shkak fjalën e fundit do ta thonë komisionet disiplinore të federatës.

Vllaznia shkatërron Tiranën

E vërteta e mbrëmjes së djeshme në basketbollin shqiptar ishte se përplaseshin “titanët” e sezonit, pra rivalët për titull. Në Durrës kishte derbi që dështoi të zhvillohej, kurse në Shkodër luhej derbi i Shqipërisë Vllaznia-Tirana. Dominimi i shkodranëve ishte i thellë. Që në periodën e parë Vllaznia fitoi 20-12, por kulmin e dominimit e shfaqi në 10-minutëshin e dytë, që e fitoi me shifrat 32-15, për pasojë, ekipet shkuan në pushim me rezultatin 52-27. Tirana nis të reagojë vetëm në periodën e tretë të ndeshjes, duke fituar këtë 10-minutësh me shifrat 25-23, por pa mundur të bëjë ndryshimin e madh, për pasojë, në fund të periodës së tretë rezultati fiksonte shifrat 75-52. Në dhjetëminutëshin e fundit, Vllaznia fitoi sërish, këtë herë me shifrat 21-16 dhe krejt ndeshjen 96-68, duke triumfuar kështu në “Klasiken” e basketbollit shqiptar. Në ndeshjen e djeshme ishte i pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. Në prag të ndeshjes së djeshme, trajneri Bledar Gjeçaj, ish-lojtar e trajner i suksesshëm i Vllaznisë, mori duartrokitje të forta dhe buqetë lulesh nga presidenti Meta, me rastin e 50-vjetorit të lindjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here