Haig Zacharian: Arti kërkon stabilitet, artistët i vlerësojnë vetëm me fjalë, mungon stimulimi financiar nga institucionet

0
398

Kompozitori Haig Zacharian është nga emrat e vlerësuar, me krijimtarinë muzikore në vend. Me një aktivitet prej vitesh, ai ka marrë vlerësime brenda dhe jashtë vendit. Si krijues Zacharian shprehet se të shkruarit është një proces profesional i pandalshëm, por kjo pjesë ka dhe problemet e saj. Në intervistën për “SOT” Haig Zacharian flet për aktivitetin e tij me muzikën, por dhe punën si pedagog në Universitetin e Arteve. Për kompozitorin problemet me të cilat përballen krijuesit sot nuk janë të pakta. Sipas tij, mungojnë aktivitetet muzikore në vend, që kanë në vëmendje krijimtarinë e re muzikore shqiptare. Në lidhje me vlerësimin, që kanë artistët, profesori Haig Zacharian shprehet se duhet bërë shumë më tepër nga institucionet. Sipas tij, artistët duhet të stimulohen për krijimtarinë e tyre, që deri tani nuk ka qenë sa duhet.

-Në punën tuaj me krijimtarinë muzikore, si po vijoni?

Të shkruarit për ne krijuesit është pjesë e asaj, që e quajmë të përditshme. Çështja është, që të shkruash për një gjë konkrete apo jo. Është proces profesional i pandalshëm, por ka dhe problemet e veta. Ka ulje dhe ngritjet në nivel, dhe varet shumë nga kërkesat që ka jeta e kulturës muzikore shqiptare për krijimtari të re. Sa më shumë kërkesa të kesh, aq më mirë është, aq më të impenjuar do të jenë krijuesit në fushën e muzikës, në planin krijues. Pra aktivitetet muzikore janë baza e asaj, që krijojnë shtysën për të bërë vepra të ndryshme. Por ndryshe nga piktorët, që mund ta shprehin frymëzimin e tyre dhe ta marrin brenda studios, ne krijuesit e muzikës e kemi të detyrueshme që të jetë një aktivitet, që të aplikohet ajo që shkruan, përndryshe nuk merr formë krijimtaria.

-Për ju si zhvillohen aktivitetet, që kanë në qendër të tyre krijimtarinë muzikore në vend?

Tek ne ka shumë pak aktivitete të tilla. Aktivitete tradicionale vazhdojnë, por në drejtim të muzikës ato që përkojnë me krijimtarinë e re janë pak. Ne jemi përpjekur si një grup kompozitorësh me Festivalin e Romancave, që është tërësisht me krijimtari të re muzikore. Ka aktivitete të ndryshme që zhvillohen, madje edhe në kuadrin Ballkanik që futet edhe krijimtaria e re, por jo tërësisht. Vetëm rastësia mund të jetë, që krijon një krijimtari të re ose raste të veçanta siç ishte përvjetori i Skënderbeut në vendin tonë, ku u dhanë fonde për të.

-Duke qenë se sipas jush aktivitetet vazhdojnë vetëm sipas rastësisë, si ndikon në jetën artistike dhe sa po bëjnë institucionet për këto probleme?

Eksperienca botërore ka që programet e zhvillimit të arteve dhe aktiviteteve bazë nacionale, që kanë të bëjnë me krijimtarinë janë me një kohëzgjatje të madhe. Është një projekt, që duhet të jetë afatgjatë. Por ne në Shqipëri në fushën e muzikës nuk kemi projekte afatgjatë. Në momentin që financohet, qoftë Ministria e Kulturës apo ndonjë institucion tjetër përpiqet të bëjë diçka, kjo është e vërteta. Në botë zakonisht po të shikosh axhendat e këngëtarëve e dinë dhe pas dy vitesh se ku do të këndojë apo çfarë roli do të luajë në opera, apo sa net do të jetë shfaqja operistike. Në botë punohet me dy vjet avancë, me data, programe, pra gjërat janë të përcaktuara, por tek ne kjo nuk ndodh, sepse jemi të varur gjithmonë nga problemi i financave nga shteti. Por ne si krijues nuk e kontrollojmë dot këtë gjë, janë në institucione që merren. Te ne vazhdon rutina, pra gjetëm dhe nuk gjetëm fonde, apo do ta shtyjmë aktivitetin për më vonë kur të gjejmë financime për ta zhvilluar.

-Përmendët Festivalin e Romancave, që nuk u zhvillua vjet. Këtë vit çfarë do të ndodhë me këtë festival, që ka në qendër të tij krijimtarinë e re muzikore?

Në vitin që lamë pas Festivali i Romancave nuk u zhvillua, edhe pse ne aplikuam më parë për këtë projekt në Ministri të Kulturës, por nuk gjeti miratim, nuk u mbështet financiarisht. Projekti jonë nuk fitoi dhe ne nuk arritëm dot ta kuptonim, sepse nuk gjeti mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, pasi ai kishte një jetëgjatësi, nuk rezultonte si një projekt i vjetërsuar, pra që i ka dalë koha. Ne si organizatorë nuk e kuptuam këtë gjë, sepse krijimtaria e re muzikore nuk del asnjë herë nga moda, qoftë gjinia e romancës apo krijimtari tjetër. Vjet nuk arritëm dot të gjenim fonde të tjera për këtë festival. Këtë vit shpresojmë, që do ta zhvillojmë, por jemi në kërkim të fondeve financiare, që nuk është e lehtë. Ne ende nuk kemi ndonjë premtim për festivalin, por shpresojmë. Koha po vjen duke u ngushtuar, sepse ne festivalin zhvillojmë çdo vit në muajin maj apo qershor.

-Koncerti me muzikën e filmave, që janë shkruar nga autorët shqiptarë është mirëpritur nga publiku. Për ju sa rëndësi ka koncerti dhe vazhdimi i tij?

Koncerti me muzikën e filmave u zhvillua para 3 vitesh, ku u përcaktuan një grup filmash shqiptarë. Vjet u bë me një tematikë të caktuar, që ishte për luftën. Që në koncertin e parë drejtori i përgjithshëm i RTSH mori përsipër, që do të bëhet çdo vit. Të shikojmë nëse do të bëhet këtë vit, por besoj është e njëjta gjë. Nëse ka financa bëhet aktiviteti, nëse nuk gjenden nuk zhvillohet.

-Sipas jush, si ndikon mungesa e një fondi nga Ministria e Kulturës vetëm për krijimtarinë e re muzikore?

Arti ka nevojë për stabilitet. Një artist ka nevojë të jetë i qetë, nga problemi më se do të financohet apo jo puna e tij. Përndryshe sa do stimul të ketë artisti nga brendësia e vet për të krijuar artin, ai ka nevojë dhe për një stimul tjetër, që është ai financiar. Nëse kjo mungon artistit i hiqet pjesa e shtysës në krijimtari, për të bërë një vepër arti. Kush humb? Këtu humb arti dhe shoqëria. Humb ajo që na bën ne më të njerëzishëm. Pra një fond për krijimtarinë muzikore duhet të jetë i caktuar. Njeriut nuk i mjafton vetëm ushqimi i përditshëm për mbijetesë. Do një stabilitet arti në vendin tonë, duhet ta dinë artistët që këtë vit do të kenë x fond për muzikën dhe ata të jenë të qartë për aktivitetet, që do të ketë vjetore dhe fondet që do të jenë. Njerëzit kanë nevojë dhe përpiqen. Po ta shikosh bëhen përpjekje të mëdha qoftë artistët apo dhe ata që kanë institucionet, duke filluar që nga qendrat kulturore të fëmijëve, që bëjnë një sforcim gjigant për të bërë aktivitete me fëmijët. Por kjo ka nevojë për ngrohtësi dhe këtë gjë e krijon vetëm financa. Artistët me fjalë janë të gjithë të vlerësuar nga institucionet. Madje dhe më shumë se sa të tjerë, artistët simpatizohen nga njerëzit. Kur marrin vesh që ti krijon, je artist të shohin me një sy më pozitiv. Janë në publik të vlerësuar, por vlerësimi financiar që i duhet atyre me krijimtarinë është larg pritshmërisë. Artistët sot janë të vlerësuar me fjalë, jepen tituj të ndryshëm, flitet bukur, por deri këtu.

-Me aktivitetin tuaj ndër vite keni krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës, që janë luajtur në ngjarjet e rëndësishme të jetës artistike në vend, por dhe jashtë. Në punë tuaj si krijues, çfarë keni synuar?

Unë mendoj se nuk kam shkruar aq shumë vepra, mendoj që ka të tjerë që kanë shkruar më shumë. Gjithsecili ka pjesën e vet në krijimtarinë muzikore, në atë që ne e quajmë arti muzikor shqiptar. Koha do të tregojë vlerën e tyre, se sa do ti rezistojnë asaj. Unë i vlerësoj të gjithë. Duhet ti shkoj gjërat në sensin pozitiv. Deri tani nuk besoj se jemi turpëruar me ato që ne jemi parë edhe jashtë kufijve, por kanë shkuar mirë dhe opinionet për krijuesit shqiptarë janë të mira. Edhe pse ne jemi vend i vogël dhe vendet e vogla shikohen me një sy tjetër, por kam përshtypjen që nuk kanë shkuar keq aty ku ne jemi përfaqësuar, si krijues me veprat tona muzikore.

-Kontributi juaj shtrihet edhe në fushën e pedagogjisë, ku prej vitesh jeni pranë studentëve në Universitetin e Arteve. Si e shikoni brezi e ri?

Brezi i ri ka shumë probleme me këtë realitet sot. Janë gjëra, që lidhen mes tyre. Madje unë nganjëherë edhe nuk arrij ta shpjegoj, çfarë është kjo shtysë kaq e mirë që i bën njerëzit të shkojnë në rrugën e artit, pasi është shumë e vështirë për të jetuar jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë. Rruga e artit është më e vështira, për të siguruar jetën. Por ne në fakultet kemi një pjesëmarrje, kemi qenë dyshues nëse do të vijnë, por kanë ardhur studentë. Kjo pjesë si duket ka vitalitet.

-Ju keni shkruar dhe muzikë filmash, por këto vite jeni me muzikën tuaj dhe në vepra të ndryshme teatrore. Si po vijon kjo pjesë, në aktivitetin tuaj muzikor?

Në vitin që lamë pas unë pata një angazhim në teatrin e Durrësit, me regjisoren Driada Dervishi për një shfaqje. Kam sërish me regjisorin Stefan Çapaliku, një tjetër vepër.

-Pse jeni shkëputur nga kënga?

I ndjek festivalet, por vetë nuk po shkruaj më këngë. Gjërat kanë ndryshuar shumë, nuk më vjen për shtat ky lloj zhvillimi, që ka marrë kënga. Ky lloj zhvillimi nuk na rri mirë në shtat ne, por jo se është gabim. Si duket edhe mosha bën të vetën. Kënga është bërë profil. Pra ai që është marrë me këngën e ka profilizuar veten te kjo pjesë dhe do të dali në pension po me këngën. Por ne kemi qenë të detyruar dikur, që të merremi nga kënga për fëmijë e deri tek muzika skenike, opera, balete, muzikë filmash. Ka qenë një mënyrë tjetër e të bërit krijimtari. Sot janë profilizuar pak më tepër. Ata që shkruajnë muzikë filmash merren me këtë pjesë, bëjnë edhe vepra simfonike, kjo varet te autorët, por kryesisht i janë përshtatur kërkesave të kohës. Ai krijues që e ndjen veten të suksesshëm te muzika e lehtë vazhdon me këngën, një tjetër që merret me një stil tjetër muzikor merret me atë, një tjetër merret me muzikë korale, etj.

 Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here