Ekspozita “Korça, zemra e Shqipërisë” vjen me dokumente dhe fotografi, mbi Mësonjëtoren e Parë Shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare. Ekspozita që u çel për “Ditën e Mësuesit”, në këtë 7 Mars, me materiale nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave vjen në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës. Ekspozita u çel në hollin e bashkisë së qytetit të Korçës. Në këtë ekspozitë vizitorët kanë mundësi të shohin lejen e posaçme perandorake lëshuar në emër të Nuçi Naçit, drejtor i Mësonjëtores, për çeljen e shkollës fillore në gjuhën shqipe e njohur si Mësonjëtorja e Korçës. DPA shprehet se po ashtu në ekspozitë është dhe “Abetarja” e Naum Veqilharxhit, e para abetare e shkruar me alfabetin idiotrop të Veqilharxhit, si dhe dorëshkrimet ku bën thirrje për mësimin e gjuhës shqipe, ndërkohë që ka dhe mjaft dokumente dhe fotografi të tjera shumë interesante. Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë shekullare e gjuhës shqipe, në viset shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane. U hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë, në periudhën e fundme të perandorisë. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”. Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja përbëri një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”. Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet – u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi, etj.