Google search engine
Home Rajoni Kosova SHBA-ja hyn mblesë mes Thaçit dhe Vuçiç, presidenti i Kosovës zbulon detaje...

SHBA-ja hyn mblesë mes Thaçit dhe Vuçiç, presidenti i Kosovës zbulon detaje për takimin në Shtëpinë e Bardhë

0
316

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi takoi të hënën në Uashington presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi tha për “Radion Europa e Lirë” se në takim është diskutuar për “domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë-Serbi” dhe për “mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.

“Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë”, -tha Thaçi.

“Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve”, -shtoi ai.

Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ishte edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.

Thaçi tha se në takim nuk është diskutuar për “gjëra të veçanta”, ndërsa shtoi se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë vlerësuar “rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara” në dialog.

“Shpresoj se në etapat e ardhshme do të kemi orientime, sa i përket substancës, por, në të njëjtën kohë, edhe afateve kohore. Por, ajo që mund të them aktualisht është se ky takim ka qenë takim i vullnetit të mirë, simbolikë e dërgimit të mesazhit të paqes për Kosovën dhe Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor”, -tha Thaçi.

Sipas tij, takimi i së hënës rikonfirmon edhe një herë zotimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që t’i lëvizë gjërat përpara me një dinamikë të re, shkruan “REL”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here