Dy persona u ekzekutuan me kallashnikov në mes të rrugës në Shkozet, mbrëmjen e sotme.
Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza u qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë teksa po ecnin në këmbë.
Por kush është 35-vjeçari Dorjan Shkoza? Mësohet se ai ka qenë në listën e Operacionit Forca e Ligjit për të deklaruar pasuritë. Megjithëse dihet shumë pak për të dhe pasuritë që disponon.
Shkoza kishte dalë nga burgu në vitin 2010, pasi kreu dënimin prej 8 vitesh për trafikim të lëndëve narkotike. Ndërsa për viktimën tjetër ende nuk ka të dhëna.
Gjithashtu është gjetur gjysmë e djegur makina që dyshohet se kanë përdorur autorët në vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur rreth një orë më parë në Shkozet të Durrësi.
Burime bëjnë me dije se autorët e kanë braktisur mjetin në afërsi të Bishtit të Zhurit, në rrugën ku futesh për në Rrogozhinë, dhe dyshohet se janë larguar prej aty me një mjet tjetër. Mjeti që është përdorur në këtë ngjarje të rëndë, i ka pasur targat e vjedhura.
Njoftimi i plotë i policisë:
Më datë 02.03.2020, rreth orës 18:55, në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës, në rrugën afër tregut të perimeve, në rrethana akoma të paqarta kanë humbur jetën shtetasit D. Sh, 35 vjeç dhe A. A, dyshohet me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbrritur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor.
Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona në një perimetër të gjerë.
Pika kontrolli janë ngritur edhe nga DVP Tiranë e Fier në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë.
Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës.
Paraprakisht dyshohet se është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Shërbimet e Policisë kanë mundur të identifikojnë targat dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.
Për zbardhjen e ngjarjes, në ndihmë të grupit hetimor po shkojnë specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje, duke grumbulluar dhe fiksuar çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes.










































