Google search engine
Home Politike Drejtesi Dosja e aferës CEZ-DIA në duart e SPAK, zbardhen provat kundër Ilir...

Dosja e aferës CEZ-DIA në duart e SPAK, zbardhen provat kundër Ilir Metës, nga vizitat e dyshimta në Pragë, te dëshmitë kundër presidentit

0
461

Drejtësia e re duket se i ka futur të dridhurat presidentit Ilir Meta. Të hënën kreu i shtetit do të zbresë në shesh kundër qeverisë, por duket se fshihet diçka tjetër në gjithë këtë betejë që ka nisur. Halli i presidentit duket se është ajo se çfarë do të vijë pas shkarkimit të tij. Për mazhorancën, presidenti ka hallin e drejtësisë së re, ndërsa një ndër dosjet që nuk është zbardhur ende është ajo e aferës CEZ-DIA. Te Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ndodhet një padi kundër presidentit për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një dosje të dorëzuar më 18 tetor 2017 nga juristi Romeo Kara. Çështja kaloi te Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa pas shkrirjes së saj ajo ka kaluar për shqyrtim te Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit. Gazeta ka siguruar padinë e plotë të juristit, i cili ka renditur disa argumente, që sipas tij tregojnë se presidenti Meta dhe disa funksionarë të tjerë janë të përfshirë në vjedhjen që bënë CEZ e DIA në Shqipëri. Për ata që nuk e dinë, CEZ kontraktoi DIA për të mbledhur borxhet e prapambetura nga qytetarët. Por këto para që u mblodhën u ndanë mes disa personave duke shkaktuar shumë dëme në buxhet. Një ndër provat kyçe që ka dorëzuar juristi, është dëshmia e ish-kryetarit të Bordit të Drejtorëve të CEZ-Shpërndarje, Jozef Hejsek, dhënë avokatëve të Clifford Chance. Sipas padisë, në pikën 8 të dëshmisë së tij, Jozef Hejsek, pohon se: “Qazim Tepshi, në atë kohë Ambasadori i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, rekomandoi Kastriot Ismailajn, si mbledhës të jashtëm të borxheve të CEZ-it, duke e prezantuar atë si një aleat të ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe të kryeministrit Berisha. Kjo, sipas Hejsekut, mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009. Sipas juristit, vjeshta e vitit 2009 rezulton të jetë pikërisht koha kur pala çeke filloi administrimin e OSSH-së, të sapo privatizuar në atë kohë prej tyre. Një tjetër argument në padi është se në dokumentacionet e OSHEE-së, ekzistojnë tre fatura të paguara lidhur me procesin fals të Identifikimit të Debitorëve. “Faturat mbajnë datat: dy me 25 Nëntor 2010 dhe me një datë 3 Dhjetor 2010. Pra faturat mbajnë një datë shumë më të përparshme se data e presupozuar e dorëzimit të punës në Mars 2011, dhe për më tepër që puna nuk u krye asnjëherë. Shuma totale e këtyre faturave është 1,485,000 Euro. Në OSHEE kemi dokumentacion që provojnë një nxitim për tu kryer patjetër kjo pagesë me urgjencë pikërisht në datën 26 Nëntor 2010”, thuhet në padi.

Vizitat në Çeki

Juristi Kara në padinë e tij flet dhe për disa vizita të presidentit Meta në Çeki, para se të firmosej marrëveshja mes CEZ dhe DIA. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-group. Ismailaj me mburrje në më shumë se një rast, ka pohuar se: ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aksidentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur. Sipas Ismailajt dhe ato çfarë kanë shkruar gazetat shqiptare në atë kohë, dyshja Meta Ismailaj kanë qëndruar në adresën e mëposhtme: Hotel Mandarin Oriental, Nebovidska 459/1, 118 00 Mala Strana, Çeki. 18. Sipas pohimeve të vetë Ismailajt dhe konfirmimeve të Elvis Mataj, mësohet se Meta u ka deklaruar në mënyrë të qartë dy drejtuesve më të lartë të CEZ-Group se: Ismailaj është vëllai im”, thuhet në padi. Po ashtu renditen dhe një sërë argumentesh të tjera, përfshirë dhe dëshmia e bashkëshortes së Kastriot Ismailajt. Kjo dosje ka mbetur peng e drejtësisë, ndërsa gazeta ju drejtua për një koment juristit Romeo Kara, i cili u shpreh se i vetmi merak i tij është nëse presidenti do e lexojë më 2 mars këtë trimëri që ka bërë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here