Google search engine
Home Politike Parlament Legjitimohet akti normativ kundër KÇK, Komisioni i Ligjeve miraton propozimet e qeverisë,...

Legjitimohet akti normativ kundër KÇK, Komisioni i Ligjeve miraton propozimet e qeverisë, hapet rruga edhe për konfiskimin e pasurive kriminale

0
420

Komisioni i Ligjeve miratoi ditën e djeshme aktin normativ kundër KÇK. Ky akt normativ prej disa kohësh është diskutuar në komisionet parlamentare, ku pasi mori “dorën e fundit” te Ligjet pritet t’i kalojë ditën e enjte seancës plenare për votim. Të pranishëm për prezantimin e përmbajtjes së aktit normativ në komisionin ishin zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda dhe Drejtori i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Besmir Beja. Voda gjatë prezantimit u shpreh se akti normativ i propozuar nga qeveria ka për qëllim marrjen e masave në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike. Sipas zv.ministres së Brendshme nevoja e miratimit të aktit normativ anti-KÇK lindi nga një analizë që Policia e Shtetit po bënte në punën e saj për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Ky Akt Normativ ka për qëllim marrjen e masave në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike. Lindi nevoja e kësaj emergjence për shkak të një analize që Policia e Shtetit po i bënte të gjithë punës së saj. Unë do të jap një shembull shumë të thjeshtë. Në vitin e fundit, Policia e Shtetit ka sekuestruar në total 91 mln euro asete kriminale, një shumë sigurisht që nuk ka të krahasuar me shifrën që gjetëm në 2013, që nuk ishte as 1 mln euro. Por çfarë ndodhi? Me vendim të gjykatave nga gjithë kjo shumë pasurish të sekuestruara u katandisën vetëm 30 mijë euro”, u shpreh Rovena Voda.

Mbështetja e aktit normativ

Akti normativ i propozuar nga qeveria ka marrë mbështetje nga deputetët e mazhorancës. Deputeti Adnor Shameti gjatë relatimit të tij në Komisionin e Ligjeve u shpreh se nëpërmjet këtij akti me karakter të përkohshëm synohet forcimi dhe ashpërsimi i luftës ndaj organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale. “Nxjerrja e këtij akti normativ nga Këshilli i Ministrave është diktuar nga nevoja për sanksionimin e marrjes së masave parandaluese me karakter personal, pasuror dhe ekonomik ndaj një kategorie të caktuar subjektesh, për të cilat ka dyshime apo informacion se janë të përfshira, ndihmojnë apo financojnë aktivitete të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit apo bandave të armatosura, duke përbërë rrezik e duke cenuar sigurinë publike”, u shpreh deputeti socialist, Adnor Shameti.

Konfiskimi i pasurive kriminale

Më tej, Komisioni i Ligjeve në cilësinë e komisionit përgjegjës, miratoi edhe ligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”. Me miratimin e këtij projektligji, i jepet e drejta Ministrisë së Brendshme për të sekuestruar pasuritë kriminale dhe t’i ofrojë ato për shërbime sociale. Të ftuar për prezantimin e ndryshimeve ligjore ishin zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda dhe Drejtor i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Artur Kala. Zëvendësministrja Voda parashtroi se projektligji synon të përcaktojë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara si institucion përgjegjës për administrimin edhe të provave materiale, përveçse pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë, si dhe rregullat e procedurat për administrimin e tyre. Relatori i projektligjit, deputeti Alket Hyseni theksoi se përparësitë dhe efektiviteti i këtij projektligji konsistojnë në fuqizimin e kompetencave dhe rritjen e proaktivitetit të institucioneve administrative për administrimin dhe vendimmarrjen më efikase dhe efiçente për përdorimin dhe destinimin e aseteve e të pasurive të sekuestruara si dhe për administrimin, tjetërsimin dhe asgjësimin e provave materiale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here