Kryeministri Edi Rama që prej ditës së djeshme ndodhet në Bruksel ku po zhvillon një sërë takimesh.
Në një mëngjes pune të organizuar nga Luigi Di Maio me ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi me praninë e kryeministrit shqiptar Edi Rama, është diskutuar lidhur me përparimin e reformave dhe solidaritetin për Konferencën e Donatorëve për tërmetin që do të zhvillohet sot.
“Diskutim në mëngjes me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Ministrat e Jashtëm të BE-së, të organizuar nga Luigi di Maio. Diskutim i mirë mbi përparimin e reformat dhe solidaritetin e fortë me Shqipërinë pas tërmetit të nëntorit përpara konferencës së sotme të donatorëve ndërkombëtarë”, shkruan komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.
Gjatë takimit ai deklaroi gjithashtu: “Shpejtësia e reformave është shtuar. Përgëzoj operacionin e OFL, tregon lidership në luftën kundër krimit. Komisioni mbështet operacionin Forca e Ligjit”.
Krerët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderët e Bashkimit Europian mbrëmjen e djeshme zhvilluan një takim joformal në Bruksel, në fokus të së cilit ka qenë perspektiva e zgjerimit të Unionit.
Në fjalën e tij, në përfundim të takimit, kryeministri Edi Rama tha se ka marrë një sinjal se rrugëtimi deri në çeljen e negociatave nuk do të jetë i lehtë, e ndërsa theksoi se uron që metodologjia e re të jetë një platformë mirëkuptimi nga shtete anëtare.











































