Nikoll Shullani, babai i Gëzim Shullanit, njëherazi edhe pajtuesi i gjaqeve që u kontaktua nga vëllai i Jan Prengës, Antoni për të ndërmjetësuar me familjet e rrëmbyesve, ka sqaruar pozicionin e tij dhe të të birit në këtë ngjarje.
Shullani tha se vepron si kryetar i një shoqate që është e licensuar nga gjykata. Ai shprehet se ishte Anton Prenga, ai që e ka takuar dhe i ka treguar për rrëmbimin dhe bisedat e Ndrek Prengës me Gramoz Rexhepin, që zbuloi emrat e grupit të Dukagjinit.
Shullani tregon se ka shkuar tek banesa e Gentian Doçit, ka takuar të atin, që nuk ka patur dijeni. Tek familja Bleta, ai shtoi se nuk ka takuar askënd, pasi ishte vetëm shërbëtorja, ndërsa tek familja Gështenja, ka takuar të zotin e shtëpisë që e ka garantuar se nëse nipi i tij është përfshirë në këtë ngjarje, atëherë situata do të zgjidhej me në bazë të Kanunit.
“Kam shkuar në shumë familje, deri në Milano për pajtim gjaqesh. Kam shkuar në shumë familje shqiptare për ndërmjetësim, pajtim. Familja Prenga ka pasur një fatkeqësi, u kanë rrëmbyer një mashkull edhe ka ardhur Anton Prenga bashkë me Pjetër Prengën dhe me një kushëri të vetin tek shtëpia ime. Unë familjen Prenga i kam miq shtëpie. Dhe më kanë thënë Nikoll, rrëmbyesit e vëllaut i kemi në Shkodër prandaj duhet me marrë me ne, shkojmë tek ato familje dhe bisedojmë. Unë kam thënë: Matuni mirë se kur ti shkosh atij tjetrit për të tillë problem duhet me qenë 99% i sigurt. Më thanë që ti i ke patriotë, je prej asaj zone, na kanë thënë se i njeh. I kam thënë Docajt i njoh, jam le e rrit me Docajt, i njoh për familje shumë të mira, janë rritur me halle me probleme. Kemi shkuar tek Lushi, ku u përmendte djali i tij Gentiani. Jemi takuar të 4 bashkë, i kanë kallëzuar se si ka ndodhur puna. I kanë kallëzuar se është përmendur djali jot. I kam thënë në emër të madhit zot, e të njerëzimit e të burrnisë, e të autoritetit të sedrës që kemi si malësor, bisedo me djalin nëse ka dijeni për këtë punë të na ndihmojë, si ta gjejmë mashkullin, qoftë gjallë, qoftë vdekur, e ta varrosim. Për çdo gjë çfarë tu kenë borxh familja Prenga hyn dorëzon Nikoll SHullani. Ai më ka thënë, 7 muaj nuk kam folur me atë djalë, nuk di çfarë të them, po munda të lidhem në telefon do të bisedoj me të të kallëzoj. Kemi dalë të katërt, kemi shkuar tek familja Bleta. Atje nuk kemi gjetur askënd, vetëm një grua që më tha: Ka ikur ka shkuar në Itali me gjithë gruan. Kemi ikur dhe kemi shkuar tek familja Gështenja, që janë kushërinj me njeri-tjetrin, me origjinë nga Dukagjini, por të ardhur në Hot prej shumë vitesh më parë. I thash këta burra kanë ardhur të takohen me ty se i kanë rrëmbyer vëllanë, bisedat që janë bërë në Angli mes vëllezërve Prenga dhe të vlonjatit ka përmendur emrin e djalit tuaj.
Më ka kthyer përgjigje shumë të mirë, shumë njerëzore. Nëse nipi im që ka shkuar 7 vjeç në Angli, ka dijeni për këtë punë ose ka hyrë në këtë punë kurrë zoti mos t’ia bëjë mbarë nuk dua ta di se është nipi im. Brenda 5 ditësh do të flas me meshkujt nga i kam, se i kam shpërndarë nëpër Evropë, dhe do të kthej përgjigje. Kam ikur, vëllezërit e Prengës ikën në Tiranë, më pas më ka çuar fjalë Gjon Gështenja e më ka thënë hajde takohu me mua. Kam shkuar tek Gjon Gështenja, atje kishte bashkuar meshkujt, mu shpreh tamam si e ka zakoni kanuni i Lekë Dukagjinit dhe zona e Dukagjinit. Unë tha kam biseduar me një nip tha, nipi ka qenë duke ardhur dhe ma kanë nxjerrë person në kërkim. Meshkujt i kam bashkuar tani shteti e ka marrë këtë punë, të vazhdojë punën e vet. Jam burrë me i bë be me 24 burra në kish se nuk i kam hak as hile, as nuk di kush ia ka bërë, as nuk kam qëlluar askënd. Jam çuar kam dalë. Detyra ime është të pajtoj, të ndërmjetësoj familje, të shtrijë dorën e pajtimit dhe mos të shkojmë tek vrasja. Mua më vjen shumë keq për fatkeqësinë që i ndodhi familjes Prenga.
Është marrë nëpër gojë edhe djali im. Unë nuk e mohoj pa vdekur se e kam një djalë, e njoh kë kam djalë. Ai ka punuar me vëllezërit Prenga, i ka pas punëtor. Por në këtë situatë djalin tim e kanë marrë në qafë. Pse ka dy muaj kjo punë e nuk e marrin djalin tim në telefon ta pyesin si është puna Gëzim, se baba yt ka fol. Unë i kam thënë në telefon: Gëzim, bisedo me Prengajt, nëse ata kanë në dorë në marrjen e mallit se si ia kanë marrë anglezit, për llogari të polakut a bullgarit si e kanë ata, të dorëzojnë mallin, të dorëzojnë mashkullin se është baba i 5 fëmijëve, e kanë vëlla. Nuk jam njeri unë me u marr njeri kot më kot nëpër gojë. Detyrën tim e kam më të nderuar, pyesni kush është NIkoll Shumani, kush më njeh në Shqipëri, e deri në Kanada.
Djali ka biseduar me ta, i ka thënë nëse dini gjë për këtë punë, dorëzoni mallin e mos t’iu shkojë në varr. Nuk ka biseduar as me vlonjatin as me Doçin, as me një tjetër. Unë e kam 22 vjet në Angli atë djalë, dhe nuk ma ka thënë kush asnjë gjysmë fjale për të.
Me familjen Doçi dhe familjen Bleta nuk kam pasur kontakt, nuk më kanë kthyer përgjigje. Nëse familja Gështenja më ka kthyer përgjigje, i kam takuar ata pleq të nderuar, gjyshin edhe gjyshen dhe i kishte bashkuar meshkujt e tij. dhe më thanë ne jemi gati në bazë të zakonit”, thotë Nikoll Shullani për Report TV.








































