Google search engine
Home Politike Drejtesi Parlamenti “gozhdon” gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ILD hetim dhe pezullim vetëm...

Parlamenti “gozhdon” gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ILD hetim dhe pezullim vetëm për një ankesë, miratohen ndryshimet ligjore

0
410

Shtohen telashet për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë hyrë ende në veting. Kohët e fundit janë dhënë shumë vendime të dyshimta dhe kjo ka bërë që qeveria të iniciojë ndryshime ligjore. Prej 3 vitesh gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë në gjendje të lirë, pasi në mungesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk ka pasur asnjë kontroll ndaj tyre. Kreu i ILD tashmë është zgjedhur dhe pritet të nisë një epokë e re në këtë aspekt. Por dje Parlamenti i ka hapur rrugën ILD që të pezullojë gjyqtarët e prokurorët brenda 3 ditëve, sigurisht në bashkëpunim me KLGJ dhe KLP. Parlamenti, me 87 vota pro, 4 abstenim dhe 13 kundër, ka miratuar ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili synon të izolojë ata që nuk kanë hyrë në veting. Përmes ndryshimeve, ILD mund të kërkojë pezullimin e një gjyqtari apo prokurori sapo ndaj tij bëhet një ankesë serioze. “Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen, se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar i paraqet Këshillit përkatës, raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment, për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra. Këshilli pezullon magjistratin nga detyra, nëse krijon bindjen se vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit. Këshilli vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për pezullimin e tij jo më vonë se 3 ditë pas paraqitjes së kërkesës; Këshilli pezullon procedimin disiplinor kur çmon se ka nevojë për hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore duke i kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë këto hetime”, thuhet në projektligj.

Rreth 900 ankesa

Pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore, pritet që të kemi tërmet në sistemin e drejtësisë. Janë rreth 900 ankesa që ka marrë në dorë Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe prej disa ditësh ka filluar shqyrtimi. Kjo u bë e ditur nga vetë Artur Metani pak ditë më parë. “Nuk ka pasur nga e kaluara as personel, asgjë, ndaj ky institucion po fillon të ngrihet nga e para. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i ndërgjegjshëm për volumin dhe problematikën e lartë të punës, po aq sa edhe pritshmëritë për të këtë institucion. Dua të siguroj opinionin publik se ILD ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit që cenojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e funksionit në përputhje me ligjin. Jam i ndërgjegjshëm se për shkak të mungesës së inspektimit për një kohë të gjatë mua dhe ILD-së na pret një volum dhe një problematikë e lartë pune ashtu siç janë dhe pritshmëritë. Konkretisht ILD-së do i kalojë një volum i madh ankesash, rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore, 2017-2020 pranë KLGJ ose Prokurorisë së Përgjithshme”, tha Metani. Më tej kreu i ILD shtoi se kanë ardhur ankesa edhe nga 1 shkurti, datë e cila përkon me krijimin e këtij institucioni, duke shtuar se për ankesat e ardhura nga Ministria e Drejtësisë, KLGJ dhe KLP për çështjen e lirimeve me kusht parakohe do jenë objekt i inspektimit. “Gjithashtu ILD nga data 1 shkurt 2020, datë e cila konsiderohet fillimi i veprimtarisë së këtij institucioni, kanë filluar të vijnë ankesat e para nga persona juridikë apo fizikë. Evidentimi i këtyre ankesave kërkon një analizë të plotë, me qëllim shqyrtimin paraprak për sa i përket kritereve të pranueshmërisë si dhe kryerjen e veprimeve shtesë nëse është e nevojshme apo fillimin disiplinor”, tha Metani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here