Policia e shoqëroi pasi përplasi një grua dhe u largua, shpërthen Ilda Bejleri: O ju mer-diat shqiptare, s’mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë
Ditën e djeshme në media qarkulloi me shpejtësi lajmi se gazetarja e sportit Ilda Bejleri aksidentoi me makinën e saj tip ‘BMW’ me targë AA 998 një 63-vjeçare rreth orës 12:50 në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Pas reagimit , Ilda ka reaguar publikisht në llogarinë e saj në Instagram ku e ka mohuar lajmin: “Unë nuk i kuptoj dot këta gazetarët tanë. Si mund të shpifin për njerëzit kështu?” shkruan Ilda pas lajmit se ajo është autore e aksidentit.
Ndërsa pak orë më vonë policia doli me një deklaratë ku thuhej se po punohej për identifikimin e autorit të aksidentit. Pas hetimeve të kryera dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, u bë e mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, që në këtë rast ishte bukuroshja e ekranit, Ilda Bejleri.
Më pas policia e shoqëroi moderatoren . Raportohet se pasi u mor në pyetje gjatë natës në komisariat, Ilda Bejleri u la e lirë.
Pas gjithë këtyre lajmeve në media gazetarja disa orë më parë ka reaguar sërish përmes një postimi në Instagram duke hedhur akuza të forta ndaj mediave shqiptare.
“O ju mer-diat shqiptare. Për fatin tim të mirë kamerat janë hapur në polici, dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër për të kaluar rrugën edhe pse semafori jeshil ishte i hapur për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shohë videon në polici. Unë pyeta për zonjën në momentin e parë por më pas duke qenë se makina ime në momentin e rrëzimit nuk ishte në ecje e sipër nuk ndjeva që kisha bërë diçka për t’u ndjerë fajtore. Të gjitha makinat e tjera u larguan por unë qëndrova pak, por nuk ndjeva asnjë detyrim që të qëndroja më shumë se nuk mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë. Zonja për fat të mirë është shëndoshë e mirë, flini të qetë o njerëz”- shkruan gazetarja e sportit.
