Hidhet shorti në Apelin e Tiranës për dosjen e lobimit rus në SHBA, për të cilën u pushua çështja për Bashën nga Shkalla e Parë.
Procesi do të udhëhiqet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, anëtarë janë Shpresa Beçaj e Alaudin Malaj.
Kujtojmë se Fatmira Hajdarit, është bashkëshortja e ish-deputetit të ndjerë të PD, Azem Hajdari, si edhe nëna e Rudina Hajdarit, deputetja e cila zgjodhi të dalë kundër urdhrit të kryedemokratit për djegien e mandatave dhe pranoi të kryesojë opozitën e re në parlament. Ende nuk ka një datë, se kur do të nisë procesi në Gjykatën e Apelit ndaj kreut të PD, Lulzim Basha, por gjasat janë, që në të tilla kushte znj. Hajdari të japë dorëheqjen nga kjo çështje.
Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku që i dha pafajësi Bashës dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani si dhe shefit të financës së këtij subjekti Ilir Dervishi.
Gjykata e Tiranës rrëzoi akuzat ndaj Bashës, Ristanit dhe Dervishit për falsifikim formularësh në çështjen e lobimit pasi nuk ekzistojnë prova. Në 41 faqe vendim të gjykatës së Tiranës thuhej se nuk ekziston fakti penal. Sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se PD s’ka pasur kontratë lobimi me kompaninë “Biniada Trade”.











































