Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka kërkuar dje bashkëpunim politik për të mbyllur reformat.Ai ishte pjesë e një takimi për Europën Juglindore, të organizuar nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kongresmeni Robert Aderholt. Palmeri në fjalën e tij theksoi se është e rëndësishme që palët të bashkëpunojnë për të garantuar reformat e nevojshme për integrimin europian dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Gjithashtu ai solli në vëmendje takimin që Bashkimi Europian bëri në tetor, ku vendosi shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zëvendësndihmësi Sekretari Amerikan në kuadër të kësaj çështje, kritikoi vendimin që Bashkimi Europian mori, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara tëAmerikës do të ndihmojnë Shqipërinë për të marrë përgjigjen pozitive në pranverë nga vendet anëtare të BE. “Është një kënaqësi e vërtetë të jesh në të njëjtën dhomë me disa prej miqve të vjetër. Dhe kjo është një nga arsyet se pse u mërzitëm më shumë kur Këshilli Europian vendosi të mos e hapë ende derën për Shqipërinë. Por në të njëjtën kohë është dhe një arsye e fortë se pse ne duhet të punojmë së bashku dhe të këmbëngulim për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Duke shpresuar që shumë shpejt të hapen negociatat me Tiranën dhe Shkupin. Kemi të njëjtin vizion me ju për sa i përket Ballkanit Perëndimor: Duam bashkëpunim dhe partneritet. E nëse më pyesni se kush drejton në këtë dhomë, më lejoni të them që jeni ju”, u shpreh Palmer. Ndërsa Mediu në fjalën e tij e vuri theksin tek kriza politike, duke i bërë thirrje palëve politike që përplasjet t’i zgjidhin me marrëveshje.“ Fillimisht do të doja t’ju falënderoja për mbështetjen. Për faktin që na bëni të ndjehemi të shoqëruar dhe që i kemi dyert e hapura, dhe për bashkëpunimin e ngushtë. Dhe kjo është një vlerë e shtuar për faktin se të gjithë ne duhet të punojmë së bashku, në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe kudo. Sepse Zoti është për të gjithë dhe ne duhet të punojmë të gjithë sëbashku. Nëse do i rikthehemi politikës mund të ketë situata ku gjërat dalin jashtë kontrollit, por ne kemi miqtë e duhur që na ndihmojnë dhe këshillojnë për gjetjen e një marrëveshjeje mes palëve”, tha Mediu.
Të ftuarit
Gjithashtu në takim ishte edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ministri i Diasporës Pandeli Majko, ish-ministri Damian Gjiknuri dhe ish-deputeti Halim Kosova. Fjala në takim gjithashtu iu dha edhe presidentit Meta, i cili tha se në politikë ka vetëm një armik mes palëve.“Është mirë kur jemi të gjithë së bashku, dhe armiku të shohë që ne nuk jemi vetëm. Për sa u përket armiqve politikë, do të doja të ishte një armik i vetëm dhe ai është përjashtimi”, tha presidenti. Ky i fundit bashkë me Brownback theksuan suksesin dhe rëndësinë e konferencës të organizuar disa muaj më parë nga presidenti me mbështetjen e Departamentit të Shtetit, një praktikë e cila duhet të zhvillohet dhe në vende të tjera të Ballkanit.
Reagimi i Mediut
Lidhur me takimin e sipërpërmendur, kreu i Partisë Republikane ka zbardhur disa detaje të diskutuara. Ndërsa bëri të ditur emrat e pranishëm në takim, Media shkruan për fjalën e Palmerit, që ka ritheksuar edhe njëherë për mbështetjen që SHBA do i japë Shqipërisë, duke shtuar se Amerika kërkon partneritet me Shqipërinë. “Në këtë takim Z. Palmer vuri theksin në nevojën e bashkëpunimit politik, për të garantuar reformat e nevojshme, për Integrimin Europian dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Të gjithë diskutantët shprehën mbështetjen e tyre për ndërtimin e një fryme politike të komunikimit e mirëkuptimit për të garantuar një politikë, e cila bazohet në vlerat e besimit në Zot dhe respektin për njerëzit”, shkruan Mediu.
































