21 vite nga “Rambujeja”, Klosi dhe Koçi: Ja pse Berisha doli kundër, i shërbeu deri në fund Millosheviçit, beteja kundër Kosovës dhe takimi me Arkanin

0
525

Plot 21 vite më parë u arrit një marrëveshje e përkohshme paqeje mes Republikës Federale të Jugosllavisë dhe një delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në Rambuje të Francës. Marrëveshja u hartua nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ndërsa u zgjodh Kalaja e Rambujesë si vend ku u mbajtën negociatat, të cilat nisën më 6 shkurt deri në 23 shkurt të vitit 1999. Faktikisht Jugosllavia e refuzoi atë dhe NATO e përdori këtë si justifikimin për ndërhyrjen në Luftën e Kosovës. Por ky takim i ndodhur 21 vite më parë ka shkaktuar përplasje të forta në politikën shqiptare, si në atë kohë, ndërkohë edhe sot. Gazeta kontaktoi dje me ish-shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi dhe me zv/ministrin e Mbrojtjes, Petro Koçi, të cilët hodhën më shumë dritë për këtë ngjarje.

Berisha kishte lidhje me Millosheviçin

Fillimisht, ishte zoti Klosi, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” sulmoi ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha, për të cilin theksoi se ishte kundër Rambujesë. Në këtë kontekst, ish-kreu i SHISH theksoi se Berisha kishte lidhje me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviçin, ndërsa e akuzoi ish-kryeministrin se në shumë mënyra u përpoq që të “minonte” çlirimin e Kosovës nga Serbia, duke punuar hapur kundër saj. “Me sa e mbaj unë mbaj mend Rambujenë, di që Sali Berisha ka qenë kundër. Saliu ka pasur lidhje me Millosheviçin. Njerëzit e tij të afërt kanë takuar Millosheviçin drejtpërdrejt dhe ndërkohë Berisha ka penguar luftën e Kosovës me të gjitha mjetet që kishte në dorë. Kjo është skandaloze. Mbaj mend po ashtu edhe thyerjen e embargos nga ana e Berishës, i cili në mënyrën më të turpshme asokohe ka dhënë ca shpjegime absurde që vetëm ata militantët e tij mund ta besojnë, ata që e adhurojnë. Berisha ka thënë e thyem embargon që të mos kishin ftohtë kosovarët dhe t’i furnizonim me naftë. Harron Berisha që naftën ia çoj serbëve, duke dalë kështu hapur kundër SHBA-ve, NATO dhe BE”, deklaroi ai.

Berisha bashkë me Gazideden takuan Arkanin

Duke komentuar më tej rolin e Sali Berishës, para dhe gjatë luftës së Kosovës, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi akuzoi ish-kryeministrin se ai nuk e donte UÇK-në. Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte kthyer në një rrezik potencial për Berishës, për vetë faktin se ajo po sfidonte autoritetet jugosllave që kishin simpatinë e ish-kryeministrit. Madje, Klosi theksoi se Berisha nuk e honepste dot UÇK, pasi kjo e fundit e kishte zbuluar që ai bashkë me ish-kreun e SHISH në kohën e PD, Bashkim Gazideden kishin takuar Arkanin (ka kryer krime kundër njerëzimit në Kosovë). “Sali Berisha ka qenë edhe një armik i UÇK. Berisha e urrente UÇK-në. Është fakt që shumë nga figurat kryesore të UÇK-së janë përndjekur dhe arrestuar në periudhën e “presidencës Berisha”. Pjesa më e madhe e luftëtarëve të dy grupeve, që qëndruan për disa kohë në Shqipëri në atë periudhë, u arrestuan nga serbët sapo shkelën në Kosovë. Berisha e di shumë mirë që ai ka punuar kundër Kosovës në shumë plane, sikundër janë takimet mes Saliut dhe Gazidedes me Arkanin. Këto takime kanë ndodhur, pavarësisht se Berisha i mohon”, nënvizoi Klosi.

Koçi: Ja pse Berisha ishte kundër Rambujesë

Por akuza në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha ka hedhur edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Ky i fundit gjatë kohës së luftës së Kosovës ka qenë ministër i Brendshëm në Shqipëri, ndërkohë në prononcimin e tij për gazetën “SOT”, zbuloi se Berisha ishte kundër Rambujesë dhe çlirimit të Kosovës, duke e konsideruar atë marrëveshje si tradhti. “Në Rambuje fitoi vizioni gjeostrategjik i shqiptarëve. Rambujeja dëshmoi se nuk ishin shqiptarët luftënxitës, por serbët. Sali Berisha tradhtoi interesat euroatlantike të shqiptarëve, duke e konsideruar tradhti firmosjen në Rambuje. Gjatë krizës ai ndërkohë organizoi një opozicion destruktiv ndaj qeverisë”, deklaroi Koçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here