Të gjithë qytetarët që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit dhe për rrjedhojë humbën shtëpitë e tyre, pritet që shumë shpejt të dalin nga vështirësitë ku gjenden. Në Shqipëri do të ketë plotë 24 zona të zhvillimit për rindërtim. Kjo është bërë e ditur ditën e djeshme nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili teksa ishte i ftuar në një studio televizive zbuloi se në fund të shkurtit do të jenë gati tre masterplane për nisjen e punimeve në terren, ndërsa kanë nisur shpronësimet. Në këtë kontekst, ministri Ahmetaj deklaroi se do të ketë një prokurim ndërkombëtar për ndërtimin e banesave individuale. “Vëmendja tashmë është fokusuar në konferencën e donatorëve dhe jemi besimplotë se donacionet do të jenë të konsiderueshme. Kështu, nisur nga eksperienca e kaluar në konferencat e kësaj natyre, ju bëj me dije se donatorët vijnë mbrapsh me një mbështetje që lëviz diku te 25- 35% e dëmit, me kombinime mes granteve dhe kredive shumë të buta. Unë besoj që ne do ta kapërcejmë këtë nivel të kombinimit mes granteve dhe kredive. Është bërë shumë punë”, deklaroi ai. Ndërkohë, sa i takon uljes së pritshmërive për rritjen ekonomike, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj shprehet se faza e rindërtimit do të ketë impakt pozitiv. “Është momenti për të përdorur të gjithë atë vështirësi për të kaluar në një pozitivitet ekonomik. Jo vetëm procesi i rindërtimit që do jetë shumë i rëndësishëm, por të gjitha reformat dhe thjeshtëzimet e të bërit biznes do ta ndihmojnë rritjen ekonomike”, nënvizoi ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Aktualisht të gjitha familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit po aplikojnë pranë njësive bashkiake, ndërkohë që ministri për Rindërtim deklaroi se deri më tani kanë aplikuar mbi 7 mijë qytetarë. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama theksoi se rindërtimi i të gjithë banesave të dëmtuara nga tërmeti është vetëm çështje kohe. “Duhet të mendojmë ku do t’i bëjmë sepse jo të gjitha do të bëhen aty ku janë. Duhen bërë studimet gjeologjike, a mban ndërtimi apo jo, mandej planet, projektet, procedurat për të përzgjedhur kompanitë. Ikën dy muaj thonë këta… Rri në Facebook, e thuaj 2 muaj. Po nuk kemi çfarë t’i bëjmë, kështu është ndarë kjo punë, ca me punë e ca me llafe”, deklaroi Rama.









































