Lëkunden pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha. Mbyllja e hetimeve për aferën e CEZ duket se nuk do të jetë e lehtë, pasi palët e kanë ankimuar dhe nëse dosja kthehet për rihetim, me gjasë kalon te SPAK. Por kjo nuk është e vetmja çështje që po lë pa gjumë ish-kryeministrin. Në ngarkim të tij është bërë një padi nga ish-truproja Izet Haxhia, i cili e akuzon si të përfshirë në 23 vepra të rënda penale. Gazeta shkroi pak ditë më parë për këtë çështje, ndërsa sot po japim një panoramë të qartë se çfarë po ndodh. Sipas avokatit Idajet Beqiri, dosja është transferuar së fundmi në SPAK. Padia e Haxhisë është shoqëruar me plot 140 faqe dëshmi të dhëna prej tij, si dëshmitar në shumë ngjarje. Haxhia ka qenë truproja i Berishës dhe ka qenë prezent në shumë çështje, e për këto ka rrëfyer në prokurori. Interesant është fakti se deponimet e tij janë marrë nga hetues që garojnë për në Byronë Kombëtare të Hetimit. Për shkak se gara në BKH vijon gazeta nuk po publikon emra, por ata kanë marrë me detaje të gjitha dëshmitë e Haxhisë dhe janë ata që më pas kanë kopsitur dosjen duke transferuar te SPAK. Kalimi i tyre në krye të BKH do të jetë një kambanë alarmi për Sali Berishën, pasi kjo mund të quhet dosja e shekullit, pasi flet për të gjitha ngjarjet kriminale në vend, nga firmat piramidale, te vrasja e Hajdarit, grushti i shtetit, etj.
Argumentet e avokatit
Gazeta i ka marrë një prononcim avokatit të Izet Haxhisë, i cili hedh dritë mbi padinë dhe argumenton se përse kjo çështje duhet të hetohet nga SPAK me shumë seriozitet. Në ditët në vijim pritet të hidhet shorti mbi prokurorët që do të marrin në ngarkim dosjen. “Kallëzimi penal që Izet Haxhiaj i paraqiti ish-Prokurores së Përgjithshme për plotë 23 krime të kryera nga Sali Berisha dhe grupi i tij kriminal, me një akt të arsyetuar ju dërgua ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Arsyet se përse nuk e mbajti Prokuroria e Përgjithshme për hetim këtë çështje ishte thjesht fakti që Sali Berisha nuk është më deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda e pranoni këtë kallëzim penal dhe në 15 seanca hetimore mori deklarime të hollësishme prej Izet Haxhisë, si dëshmitari kyç okular, i cili i ka parë, i ka përjetuar, ka qenë pranë dhe njëkohësisht ka mësuar prej dëshmitarëve okularë, jo pak, por plotë 23 vepra të rënda penale, që nga akte terroriste e deri te vrasje të rënda për motive të dobëta, të kryera drejtpërdrejt, ose në rolin e frymëzuesit, të nxitësit, të organizatorit, të bashkëpunëtorit dhe të përfituesit drejtpërdrejt prej këtyre krimeve prej Sali Berishës dhe grupit të tij të strukturuar kriminal”, tha avokati.
Rreziku për Berishën
Avokati Idajet Beqiri është shprehur se dosja është e kopsitur dhe prokuroria duhet të mos ketë drojë përballë Berishës. Sipas tij, ndaj ish-kryeministrit duhet të vendoset një masë sigurimi.
“Hetuesit e Prokurorisë që përgatitën këtë dosje tashmë presin të fillojnë punën pranë BKH. Me krijimin e SPAK, kjo dosje, vërtet e “kopsitur” me prova të shumta, si rrallë dosje tjetër në këto 30 vjet që përgatitet kundër një grupi të strukturuar kriminal, u dorëzua ndër të parat dhe është regjistruar si procedim penal pranë SPAK. Dosja është e gatshme për të marrë një masë sigurimi ndaj Sali Berishës, sikurse është e gatshme për të formalizuar veprimet e tjera hetimore dhe për të dërguar më pas çështjen në gjyq”, tha avokati.






































