Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Lulzim Cukun, i cili vra bashkëshorten e tij dy ditë më parë duke e mbyllur më pas trupin e pajetë në tualet.
Cuku mbërri në gjykatë në gjendje të rënduar psikologjike dhe i çorientuar pranoi krimin e rëndë, duke deklaruar se e bëri pasi dyshonte se bashkëshortja e tradhtonte.
Gjendja e tij ishte aq e rënduar saqë nuk iu përgjigj dot as pyetjeve të gjykatësit.
Lulzim Cuku ka vrarë të shtunën në darkë bashkëshorten e tij Manjola Cuku për shkaqe xhelozie. Pranë trupit të viktimës policia gjeti tre fëmijët e saj të mitur.
“Prej tre muajsh kemi nisur të debatojmë. Kisha arsye se kisha gjetur gjera të çuditshme në shtëpi që më bënin të dyshoja se me tradhtonte. Vjehrri me tha që shtëpia është kthyer në vend drogaxhinjsh, prandaj vendosa ta merrja me vete në Greqi. Por ajo nuk pranoi”, ka thënë Lulzim Cuku.
Manjola Cuku rezultonte me urdhër-mbrojtje nga gjykata e Durrësit, pasi ishte dhunuar edhe herë të tjera nga bashkëshorti.
Pasi ka vrarë bashkëshorten me thikë, ai e ka kyçur në banjë dhe është arratisur, për tu kapur disa orë më pas në Mat. Burime të policisë thanë se kur mbërritën në banesë gjetën fëmijët teksa qanin mbi trupin e nënës.









































