Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur mbarë opinionin publik, Lulzim Cuku, personi që i mori jetën gruas së tij në mënyrë çnjerëzore disa ditë më parë në banesën e tyre në Xhafzotaj, ka dalë në gjyq për masën e sigurisë.
Në seancën e sotme gjyqësore për Cukun, bashkëshortin dhe njëkohësisht vrasësin e Majlinda Cukut prokurorja e çështjes ka zbardhur edhe dëshminë e vajzës së tyre 10- vjeçare.
Vajza e tyre ishte dëshmitare e ngjarjes dhe i ka komunikuar prokurores se babai i saj Lulzim Cuku, e tërhoqi nënën nga tualeti deri tek dera ndërkohë që ajo ishte e mbytur në gjak.
Ajo thotë se u zgjua natën e 2 shkurtit për shkak të të qarave të së motrës, ndërkohë ka dëshmuar se Lulzim Cuku e rrihte vazhdimisht Majlinda Cukun. Sot para Gjykatës së Durrësit Lulzim Cukut i është komunikuar edhe masa e arrestit me burg.









































