Komedia “S’ ka burrë që tradhton gruan time” do të vijë premierë mbrëmjen e së premtes në skenën e teatrit të Korçës për publikun. Një komedi e autorëve Samuel Bobrick dhe Rob Clark, premierë në teatër me regji nga Guri Koço. Premierë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, në role vijnë aktorët Herion Mustafaraj, Blerta Belliu, Kristian Koroveshi, Keris Babliku. Teatri shprehet se është një komedi satirike, që vjen në skenë me plot humor. “Skena dhe humor i mirëfilltë. Regjisor, ai që nuk ju ka zhgënjyer kurrë Guri Koço”, shprehet institucioni për premierën.
Guri Koço me aktivitetin e tij në teatër është i njohur si regjisori i shumë komedive të suksesshme, në ndërtimin e shumë karaktereve, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën artistike të teatrit. Teatri i Korçës për këtë premierë me regji nga Guri Koço, shprehet se një tjetër realizim i bukur me regjinë, karakteret dhe humorin fin publiku do të ketë mundësinë ta shijojë së shpejti. Pjesë e kësaj komedia është dhe aktorja Blerta Belliu, që këtë herë vjen ndryshe. Me një figurë e karakter të spikatur mes humorit fin e elegant, që sjell një personazh të veçantë. Komedia që ngjitet në skenë në datë 7 shkurt ka në rol edhe aktorin e mirënjohur Herion Mustafaraj. “Për herë të parë në këtë bashkëpunim vjen me një karakter plot humor e situatave të bukura”, bën me dije institucioni. Aktori Herion Mustafaraj është një emër i njohur për publikun. Në aktivitetin e tij artistik me role të ndryshme në kinema dhe teatër, këtë herë do të jetë në skenën e teatrit të qytetit të Korçës me një komedi, që ka njohur suksesin e saj deri tani. Skenograf në vepër është Beqo Nanaj dhe koreograf Bardhi Pojani.
Situata komike në vepër
Burri, gruaja, dashnori në intrigën e kahershme mes dashurisë dhe tradhtisë. Pikërisht këtë komedi brilante, shkruar nga Samuel Bobrick dhe Ron Clark me regji nga Guri Koço dhe në skenë me 4 aktorë publiku do ta gjejë së shpejti në skenën e Korçës. Në vepër janë situata nga më komiket që pasojnë njëra-tjetrën, në shoqërinë e interpretimit plot profesionalizëm dhe një performancë shumë atraktive. Komedia ka një subjekt sa real aq edhe komik. Në qendër të tij është një grua dhe i dashuri i saj dentist, të cilët kanë thurur intrigën për të mbytur në vaskë bashkëshortin e saj.
Gjithçka funksionon perfekt dhe ai vjen, madje edhe i ndihmon ata sepse nuk beson se plani për eliminimin e tij do të funksionojë. Por, bashkëshorti, Pol zbulon se e shoqja është tradhtuar nga dashnori i saj dhe i mbush mendjen gruan që të mos vrasë veten, por të vrasin të dashurin e saj. Pol do hakmerrej pasi, për të ajo që nuk falet është: “S’ka burrë që tradhton gruan time”. Arlena pasi i ka lënë të dy, Pol dhe Michell thurin intrigën dhe përgatisin trekëmbëshin për gruan, që i ka tradhtuar. Litari këputet në momentin final. Dy autorët amerikanë Samuel Bobrick dhe Ron Clark janë të vlerësuar me veprat e tyre në teatër. Edhe më parë në skena të teatrove në botë janë vënë pjesë të shkruar prej tyre, që kanë marrë vlerësimin e publikut. Këtë herë do të jetë komedia “S’ ka burrë që tradhton gruan time”, e cila do të përcjellë humor te publiku. Gjatë kësaj kohe në skenën e qytetit të Korçës janë zhvilluar aktivitete të ndryshme. Veprimtari që kanë sjellë në skenë edhe artistë të tjerë, që jetojnë jashtë Shqipërie. Jeta artistike këtë muaj do të vazhdojë me këtë premierë, që sjell në skenë aktorë të njohur për publikun.









































