Google search engine
Home Rajoni Kosova Albin Kurti nis punën: Asnjë ministër nuk duhet të rrijë në zyrë,...

Albin Kurti nis punën: Asnjë ministër nuk duhet të rrijë në zyrë, të gjithë të njihen me hallet e qytetarëve

0
282

Pas votimit të hënën në seancë, Albin Kurti ka nisur dje detyrën si kryeministër i Kosovës. Ditën e djeshme është zhvilluar mbledhja e parë e qeverisë. Në fjalën e mbajtur përpara ministrave Kurti pasi uroi kabinetin qeveritar nënvizoi se do të punojnë në emër të qytetarëve.

“Është kënaqësi të ju shoh të gjithëve kështu të entuziazmuar për rolin dhe detyrën që e keni marrë dhe e kemi marrë bashkërisht. Po e filloj duke uruar secilin prej jush, për pozitën dhe përgjegjësinë që do të keni për t’u shërbyer qytetarëve. Është mirë ta themi që në fillim që ky kabinet është i qytetarëve dhe ne punojmë në emër të tyre dhe për ta”, ka deklaruar Kurti.

Shefi i qeverisë u tha ministrave se karriget i kanë tashmë, por që të punojnë mirë duhet të rrinë më shumë në këmbë. “Nuk mund të pushojmë derisa ta shpërblejmë besimin e tyre, 100 ditët e para do të jenë të zëna me angazhim dhe me përkushtim maksimal, karriget i kemi, por jam i bindur se më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin. Programi ynë është ambicioz aq sa janë edhe pritjet e qytetarëve. Sytë e të gjithë popullit tashmë janë te ky kabinet qeverisës, do të ishte mirë që të gjithë ne të mësojmë përmendësh programin që del nga marrëveshja e përbashkët, sepse me të do të zgjohemi në mëngjes dhe do të flemë në mbrëmje, le të bëhemi të thjeshtë e të drejtë”, u shpreh ai.

Kurti deklaroi se ministrat duhet të zbresin sa më afër qytetarit. Mandati sipas tij mund të jetë privilegj, por është mirë që të kuptohet si privilegj për të shërbyer e jo për të urdhëruar. Ai kërkoi që t’i jepet kuptim pozitës së ministrit, gjë që Kurti pretendon se nuk e ka pasur asnjëherë pas luftës. Në fjalën e tij shefi i ekzekutivit deklaroi se qeveria nuk do të quhej e tij por qeveria e Kosovës. Sukseset dhe dështimet do t’i takojnë secilit ministër po aq sa edhe atij vetë. “Sukseset dhe dështimet janë të përbashkëta dhe jo personale. Në këtë qeveri do të jemi Qeveria e Republikës së Kosovës, dera ime është e hapur për çdo ditë në çdo orë dhe çdo minutë, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa zbatimi i programit. Jam i bindur se ky shans është unik për secilin prej jush, takimet tona do të jenë të shpeshta dhe të shumta sepse ministritë janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Të mos harrojmë që qeverisja jonë është pasqyrë me të cilën qytetarët e shohin vetë veten”, përfundoi Kurti.

Lista Serbe deklaron “autonominë” nga qeveria

Ministrat e rinj nga radhët e Listës Serbe Ivan Milojeviç dhe Dalibor Jevtiç, në ditën e parë të punës në Qeverinë e re të Kosovës, thanë pas marrjes së detyrës, se ata nuk janë në koalicion qeveritar. Deputetët deklaruan se vendet e caktuar në qeveri u takojnë serbëve për sa kohë mandati i tyre u fitua nga votat e tyre. Ata kanë deklaruar se atyre u ishte besuar mandati falë votave të fituara në zgjedhjet e 6 tetorit dhe në përputhje me ligjet në fuqi, për vende të caktuara në institucione që u përkasin serbëve. Si përfaqësues politikë të serbëve, do të vazhdojmë të punojmë në interes të atyre që votuan për Listën Serbe dhe do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të përmirësuar jetën e komunitetit serb dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës janë shprehur ata.

Dalibor Jetviç është emëruar ministër për Komunitete e Kthim, ndërsa Ivan Millojeviç ministër për Zhvillim Rajonal.

Vjosa Osmani fillon punën

Ditën e djeshme ka qenë edhe dita e parë e Vjosa Osmanit si Kryetare e Legjislativit të Kosovës. Në fjalën e saj të parë si kryetare e Kuvendit të Kosovës Osmani premtoi se do të jenë aty për qytetarët dhe për çdo pëllëmbë të Kosovës. Osmani shpreh nderimin më të madh për ata që sakrifikuan jetë për lirinë e vendit dhe shprehet se duhet punuar me nder dhe përgjegjësi për ta bërë Kosovën një vend për të cilin duhen krenuar gjeneratat. Takimin e parë Osmani e ka zhvilluar me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip S. Kosnett.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here