Google search engine
Home Politike Ambasadorja e SHBA e prerë: Duhet të çrrënjosni korrupsionin, reforma në drejtësi...

Ambasadorja e SHBA e prerë: Duhet të çrrënjosni korrupsionin, reforma në drejtësi gur kilometrik madhor, do ndihmojmë në sundimin e ligjit

0
353

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim e ka bërë edhe një herë të qartë se reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit janë prioritetet numër 1 të saj. Në kuadër të misionit në Tiranë, Kim mblodhi dje në një pritje politikanë, biznesmenë, njerëz të drejtësisë e medias, përfaqësues të komuniteteve fetare etj., ku foli mbi qëllimet që do të ketë gjatë 3 viteve në Tiranë. “Prioriteti im i parë është ta ndihmoj Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. Shqipëria po punon për të qenë edhe një udhëheqëse në Ballkan për luftën kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Nga shoqëria civile te bashkësitë fetare, nga organet vendore e ndërkombëtare të zbatimit të ligjit deri te shkollat e arsimtarët, jemi bashkë për ta ndihmuar Shqipërinë që të zhdukë si kërcënimet vendase, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Së dyti, ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Forcimi i institucioneve dhe praktikave demokratike do të forcojë kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Ne duam ta shohim Shqipërinë të luajë një rol më të fortë në familjen evropiane të demokracive. Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, për të prodhuar, konsumuar dhe për të qenë novatorë”, u shpreh ambasadorja e SHBA Yuri Kim.

Çrrënjosja e korrupsionit

Më tej ambasadorja e SHBA në Tiranë shtoi se përmbushja e këtyre 3 prioriteteve kyç do të sjellë çrrënjosjen e korrupsionit dhe të vendosë sundimin e ligjit në Shqipëri. Sipas saj, miratimi dhe zbatimi i plotë i reformës në drejtësi është një gur kilometrik madhor, duke shtuar se korrupsioni në Shqipëri e ka dëmtuar shumë zhvillimin e vendit. “Të tria këto kërkojnë që Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin, të ndjekë penalisht krimin e organizuar, dhe të realizojë vendosmërisht sundimin e ligjit. Miratimi i reformës në drejtësi ishte një gur kilometrik madhor, por shumë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i duhur. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë apo vetëm e komunitetit të biznesit. Për miqtë tanë në komunitetin e biznesit: Ju nxis të udhëhiqni duke kryer punën tuaj me integritet dhe duke kërkuar politika e praktika të shëndosha qeverisëse. Për partnerët tanë në qeveri: ritheksoj rëndësinë e transparencës dhe të shtetit ligjor. Pavarësisht nëse është në praktikë apo në perceptim, korrupsioni e dëmton Shqipërinë dhe e pengon të arrijë potencialin e tij të vërtetë”, tha Kim.

SHBA thirrje partive politike

Por ambasadorja amerikane në përfundim të takimit u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të reflektojnë për të mirën e vendit drejt rrugës evropiane. “Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020. Iu bëj thirrje drejtuesve shqiptarë – pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo – që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit”, tha ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here