Jeta e përditshme e Korçës, me fotografi në ekspozitën “Dje, si sot”

0
343

Ekspozita fotografike “Dje, si sot” vjen për publikun nëpërmjet 33 fotove të rralla, me jetën e përditshme të krahinës së Korçës nga objektivi i fotografëve korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci. Ekspozita nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u çel në ambientet e kalasë së Tiranës.

Ekspozita “Dje, si sot” përmban fotografi, të cilat paraqesin portrete dhe aspekte të jetës urbane dhe suburbane, fiksuar në negativë xhami, të cilat janë digjitalizuar në bashkëpunim me muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehet se ekspozita unike “Dje, si sot” nuk duhet humbur pa u parë nga të gjithë admiruesit e fotografisë, kuriozë të së kaluarës dhe jo vetëm. Ekspozita do të qëndrojë deri më 26 janar.

Kjo ekspozitë e paraqitur së fundmi, është një grimcë e vogël e punës madhore e Fototekës së Arkivit Qendror Shtetëror, e cila do të vijë shumë shpejt për publikun me fototekën on line. Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror është një njësi, e cila është krijuar me fotografi të mbledhura gjatë viteve që nga themelimi i AQSH, si dhe nga dhurimet e ndryshme. Sot Fototeka e AQSH numëron rreth 70.000 fotografi midis origjinalesh dhe riprodhime. Këto foto i përkasin në pjesën më të madhe veprimtarisë politike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve dhe Shqipërisë deri në vitet 1944.

Por gjatë viteve të ndryshme, sektorë të AQSH-së, kur kanë gjetur fotografi midis fondeve të ndryshme, i kanë dorëzuar në Fototekë. Kjo gjë ka krijuar dhe një sasi të vogël me fotografi pas viteve 1944. Pjesa më e madhe e këtyre fotografive, rreth 30.000 i janë nënshtruar procesit të përpunimit tekniko-shkencor. Kjo do të thotë që janë përpunuar apo klasifikuar sipas parimeve të përpunimit të dokumenteve. Pjesa e mbetur është në proces përpunimi. Kjo pjesë e mbetur përbëhet nga fondi fotografi i Institutit Luce me rreth 30.000 fotografi. Fotografitë e ruajtura në AQSH janë të formateve dhe cilësisë së ndryshme. Fototeka ka një skemë klasifikimi, e cila përfshin në pjesën më të madhe çdo fushë të veprimtarisë së shoqërisë si jeta politike, lufta, jeta shoqërore, qyteti, arsimi, kleri, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here