Gazetari Artan Hoxha sot ka publikuar një video në të cilën shihet kryebashkiaku i Bulqizës teksa merr lëndë narkotike të llojit kokainë.
Gjatë bisedës në studio me gazetarin Endri Xhafon, gazetari Hoxha, tregoi peripecitë dhe vështirësitë në punën e tij por edhe të gazetarëve të tjerë.Hoxha tha se është kërcënuar shumë herë me jetë, ai dhe familja e tij, madje i është ofruar edhe mbrojtje nga autoritetet, por gazetari nuk e ka pranuar.Hoxha theksoi se e mbron puna dhe e vërteta, për faktet të cilat publikon.
‘Pasi kam nxjerrë videon e 21 janarit përveç më sollën zarfin me plumb në shtëpi, për 6 muaj unë nuk hipja në ashensorin e shtëpisë, po ngjitesha me shkallë.Mbase mund të mos kisha asnjë rrezik por unë kujdesesha, jam vënë shumë herë në tabelë qitje. Megjithatë unë mendoj se një gazetar sa herë publikon fakte të pakundërshtueshme, i qëndron të vërtetës, pavarësisht se kë ka përballë, kryeministrin, presidentin, shefin e opozitës apo bosë të krimit, ai është më i mbrojtur se sa kur i di dhe nuk i publikon faktet.Pra për të qenë më i qartë do thoja se do ndihesha më i rrezikuar nëse këtë fakt sot nuk do e publikoja, por edhe nëse nuk do e publikoja unë do e publikonte opozita.”- tha Hoxha.