Padia që kryeministri Edi Rama bëri ndaj homologut të tij në Kosovë Ramush Haradinaj, ka sjellë valë reagimesh në vendin tonë. Sakaq kryeministri Rama është sulmuar nga ndjekësit e tij në rrjetet sociale dhe si pasojë ka ardhur edhe reagimi i ashpër i Ramës. Kryeministri në një kundërpërgjigje ndaj komentuesve të tij ka thënë se nuk përkulet përballë trushkulurve dhe se është me të vërtetën. Komentuesi ka vënë Ramën para përgjegjësisë, duke e pyetur se pse nuk ishte i pranishëm në Kosovë për të rikujtuar masakrën e Reçakut. Kujtojmë se kohët e fundit si pasojë e debateve për Shengenin Ballkanik, Rama është cilësuar nga kundërshtarët e tij si tradhtar ndaj Kosovës. Rama tha se shpreh keqardhje për ata që e mallkojnë duke pasur parasysh një tradhti imagjinare. Kryeministri deklaroi se do vazhdojë të bëjë gjithçka për Kosovën dhe nuk do të tërhiqet përballë shpifësve, ndërsa u shpreh se viktimat e pafajshme të agresionit serb nuk nderohen duke i përdorur për një politikë të ulët. “Keqardhje e turp për ty dhe këdo tjetër si ti që prej Kosove më shan e më mallkon paturpësisht, për tradhtira imagjinare e për poshtërsia të sajuara ndaj meje nga politikane e analiste pa din e pa iman! Unë kam bërë, bëj e do bëj gjithçka mundem për Shqipërinë e për Kosovën po njësoj, e nuk kam ndërmend as të tërhiqem, as të përkulem, përballë kësaj armate trushkulurish, shpifësish e parazitesh, sepse jam me të drejtën dhe me të vërtetën, që edhe kur vonon nuk harron asnjëherë”, ka deklaruar Rama. Sa i takon rikujtimit të Reçakut, Rama tha se ajo lloj politike që po aplikohet në Kosovë është duke ia marrë frymën kësaj të fundit dhe shprehu se ndihet keq për këtë. “E sa për Reçakun, ato viktima te pafajshme te agresionit serb nuk i nderon aspak zotëria jote duke më fyer mua, ashtu sikundër viktimat e urrejtjes nuk nderohen aspak duke i përdorur për politikën e ulët, që i ndan njerëzit në patriotë e në tradhtarë! Kjo ishte përgjigja ime për ty, teksa ndjek me shumë keqardhje se si ajo lloj politike po ia merr Kosovës frymën e fytyrën, në sytë e njerëzve të thjeshtë dhe të miqve të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët habiten gjithnjë e më shumë nga paaftësia politike e nga hipokrizia patriotike e atyre që kujtojnë se me shpifjet e sharjet ndaj meje, do i ikin përgjegjësive të tyre para popullit dhe të ardhmes së Kosovës”, ka shkruar Rama.
Reagon Basha: Rama anti-kombëtar
Vala e reagime në vendin tonë, kryesisht nga opozita është përhapur ditën e djeshme me furi. Nga radhët e demokratëve edhe nga LSI ka pasur shuam reagime, nga ku Rama cilësohet si tradhtar dhe anti-kombëtar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për padinë ndaj Ramush Haradinajt. Në një reagim në Facebook, Basha deklaroi se pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është akt i ulët që na turpëron të gjithëve dhe si i tillë meriton refuzimin dhe revoltën legjitime. “Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës. Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar”, tha Basha.