“Galaksia” premierë në “ArTurbina”, lufta e artistit për të thënë të vërtetën deri në fund

0
292

Premiera e parë këtë sezon artistik në Teatrin Kombëtar është vepra teatrore “Galaksia”. Shkruar nga autori Howard Barker me regji nga Rovela Lule, në vepër janë në role aktorë të njohur të jetës artistike në vend, por dhe emra të rinj. Teatri Kombëtar shprehet se “Galaksia” është një kryevepër e Barker, që do të vijë në skenë te “ArTurbina”. “Një shfaqje e madhe po afron. Stafi jonë me përkushtim për të sjellë në kenë “Galaksia”, këtë kryevepër të Howard Barker nën regjinë e Rovena Lule Kuka”, shprehet teatri. Në vepër interpretojnë aktorët Olta Daku, Neritan Liçaj, Rjamonda Bulku, Myzafer Zilfa, Lulzim Zeqja, Vikena Kamenica, Paola Kodra, Niada Saliasi, Genti Deçka, Naun Shundi, Monika Lubonja, Ardian Cerga, etj. “Galaksia” (skena nga një ekzekutim) është e cilësuar si vepra më e mirë e autorit bashkëkohor britanik Howard Barker. Në qendër të saj qëndron një piktore e jashtëzakonshme (Galaksia) e interpretuar nga aktorja Olta Daku, së cilës i duhet të përballet me luftën e pushtetit ndaj artit! Teatri Kombëtar shkruan se është një vepër tejet aktuale edhe pse ngjarjet e së cilës janë vendosur në Venecian e shekullit XVI, ajo flet edhe sot po njësoj. “Lufta e artistit për të thënë të vërtetën deri në fund me veprën e tij dhe mospranimi apo gati-gati ekzekutimi i veprës dhe artistit nga shteti! A janë betejat triumfuese?! Apo ajo që ndodh është masakër?! Të vërtetën e zbulojmë në “ArTurbina” me një kast të mrekullueshëm aktorësh”, pohon teatri. Rovena Kuka është pedagoge, regjisore dhe aktore. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve për instrumentin muzikor flaut. Në vitin 2006, diplomohet për regjisurë në po të njëjtën shkollë, sot Universiteti i Arteve. Prej vitit 2010, Rovena Lule Kuka punon si pedagoge e Mjeshtrisë së Aktorit dhe është realizuese e disa veprave bashëkohore si: Boston Marriage, Perversitet Seksual në Qytet, Gruaja në dritare etj. Gjithashtu, ajo ka interpretuar në disa filma dhe vepra teatrale, ku ndër të tjera mund të përmendim “Ndërkombëtarët” dhe rolin kryesor në filmin “Maya”.

Aktiviteti i autorit

 Howard Barker është një dramaturg, poet, skenarist dhe eseist anglez. Ai ka lindur më 28 Qershor të vitit 1946 në Londër të Anglisë. Autor i shumë veprave, ku zhvillohen tematika si dhuna, seksualiteti, dëshira për pushtet dhe motivimi njerëzor. Howard Barker e përshkruan veprën e tij si “Teatri i Katastrofës”. I njohur për inspirimin nga ngjarjet historike në veprën e tij dhe kompleksitetin e karaktereve dhe ngjarjeve, ai preferon ta përballë fort shikuesin me veprën. Vjen për herë të parë në Shqipëri me një premierë absolute të veprës “Galaksia” (skena nga një ekzekutim), e cilësuar nga kritika botërore si vepra e tij më e mirë. Me veprat e tij Barker është i njohur në skena të ndryshme të botës, ku vlerësimet nuk kanë munguar. Këtë vit vepra e tij do të jenë në skenën teatrore shqiptare, duke përcjellë mesazhe për publikun. Këtë vit në teatër, Rovena Lule vjen këtë herë si regjisore me “Galaksia” (skena nga një ekzekutim), e cila shfaqet për herë të parë në Shqipëri. Skenografia Genc Shkodrani, kostumografe është Laedja Hajdari, kompozitor Endri Sina, as.regjisore Paola Kodra, piktor Rael Hoxha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here