Teatri i komedisë “Roland Trebicka” këtë sezon artistik të 2020 e nis me komedinë “ Johan Padan” vepër nga autori Dario Fo, me regji nga Milto Kutali dhe interpretim të aktorit Arben Derhemi. Teatri më i ri në Tiranë shkruan se mesazhi human do të jetë në qendër të kësaj vepre teatrore, që vjen në skenë në datat 24, 25, 26, 27, 30, 31 janar, si dhe 1 dhe 2 shkurt për publikun.
“Një interpretim i shkëlqyer i aktorit Arben Derhemi, ku paraqitet dashuria për njeriun dhe për jetën në sytë e një mashtruesi, që gjendet përballë situatave të ndryshme. Interpretimi në 8 dialekte të ndryshme dhe mesazhi human dhe i fortë i veprës së nobelistit Dario Fo, do të jetë në epiqendër të kësaj vepre, që do të mirëpresë teatri i komedisë “Roland Trebicka”, në fund janari dhe fillim shkurti”, thuhet në njoftimin për këtë shfaqje teatrore.
Vepra është 1 orë e 40 minuta me aktorin Arben Derhemin në skenë, dhe kemi të bëjmë me një shfaqje dinamike. Më herët regjisori Kutali ka pohuar se personazhet e Dario Fo, në tërësinë e tyre janë njerëz të pafajshëm. “Janë njerëz të padjallëzuar, janë njerëz që gjithmonë priren nga e mira dhe luftojnë që të vendoset e mira. Ata fitojnë vetëm falë pikërisht këtyre budallaqeve që bëjnë disa njerëz, shpëtojnë ndonjëherë botë të tëra, shoqëri të tëra. I tillë është dhe Johan Padani”, tregon regjisori Milto Kutali.
Aktori Arben Derhemi vjen në skenë me aventurat e personazhit dhe mashtruesit Johan Padan, në kërkim të aventurës në të dy kontinentet. Zhigolo, fallxhor, shëronjës, dhe në fund biri diellit që lind dhe i hënës. Komedia “Johan Padan” vjen në skenën e teatrit të komedisë “Roland Trebicka” pasi u shfaq para pak disa ditësh edhe në skenën e Korçës. Fituesi i çmimit “Nobel”, dramaturgu dhe aktori italian, Dario Fo ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare në tetor të 2016. Dramaturg, aktor, shkrimtar, autor dhe ilustrues, piktor dhe skenograf për gati 60 vjet, Dario Fo revolucionarizoi botën artistike italiane. Ai fitoi famë ndërkombëtare me “Misteri i çuditshëm” me temë nga mesjeta dhe më pas me veprat “Vdekja aksidentale e një anarkisti” dhe “Marijuana e nënës është më e mira”. Në skenën teatrore shqiptare janë vënë disa nga veprat, që mbajnë emrin e autorit nobelist Dario Fo.