Filmi “Ndërkombëtarët” garon në “London International Film Festival”, nominohet në tre kategori

0
276

Filmi artistik “Ndërkombëtarët”, me regji nga Pluton Vasi garon në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Londër. Filmi shqiptar me këtë pjesëmarrje nis kështu rrugëtimin e tij në festivale, ku do të konkurrojë në “London International Film Festival”, që zhvillohet nga data 8 deri më 15 shkurt. “Ndërkombëtarët” me regji nga Pluton Vasi dhe skenar nga Ylljet Aliçka është nominuar në tre kategori kryesore: skenari më i mirë, regjia më e mirë dhe filmi më i mirë në gjuhë të huaj, në “London International Film Festival 2020”.

Producentja Vjollca Dedei shprehet se është shumë e rëndësishme nominimi dhe pjesëmarrja e filmit “Ndërkombëtarët”, në këtë festival. “Për ne është shumë e rëndësishme që filmi “Ndërkombëtarët” merr pjesë në këtë festival filmi, që zhvillohet në Lodër, aq më tepër që është nominuar në tre kategoritë më kryesore, skenar, regji dhe filmi më i mirë, dhe këto janë dhe baza e filmit. Për kjo do të thotë, që me kontributin e të gjithëve, ai ka kapur këto tre nominime në këto kategori”, shprehet produncentja Dedei. Kjo është hera e parë, që ky film del jashtë kufijve, por produecenta Vjollca Dedei tregon se ky është një festival filmi, ku niveli dhe përzgjedhja e prodhimeve kinematografike që konkurrojnë merr shumë rëndësi. “Ne jemi të gëzuar për filmin, aq më tepër që festivali është në Londër, që janë më ndryshe në përzgjedhjen dhe vlerësimin, se sa është kontinenti”, shprehet producentja Vjollca Dededi. Me regji nga Pluton Vasi dh skenar nga Ylljet Aliçka filmi e pati premierën për publikun shqiptar më 31 tetor të 2019-ës. Regjisori përmes filmit na njeh me intrigat dhe dritë-hijet e mëdha, që shoqëron përfaqësuesit e strukturave perëndimore në vendet Lindjes, ndërsa prodcentja Vjollca Dedei pohon se “Ndërkombëtarët” i ofron publikut një copëz nga jeta jonë. “Është një marrëdhënie midis shqiptarëve dhe të huajve. Të huajve, që në Shqipëri që herë- herë dhe me kontributin e shqiptarëve lë mjaft për të dëshiruar, në atë që bëjnë. Ata vijnë këtu dhe kthehen në mite, shpeshherë bëhen pjesë e vendimarrjeve goxha të rëndësishme në vendin tonë, duke e kaluar misionin për të cilin kanë ardhur. Ata kanë ardhur për të kryer një mision, për të sjellë një mesazh dhe hera- herës marrin përsipër, që të kalojnë këtë mision. Por në qendër të filmit është dhe linjë dashurie”, tregon producentja Dedei.

Historia në filmin “Ndërkombëtarët”

Me “London International Film Festival” filmi artistik “Ndërkombëtarët”, me regji të Pluton Vasi nis rrugëtimin e tij në festivalet e filmit. Aktorë janë Eni Shehu, Kastriot Çaushi, Hervin Çuli, Rovena Lule, Karafil Shena, Indri Shiroka, Alert Çeloaliaj, Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Adele Gjoka, Mehdi Malkaj, Ardian Cerga, Albana Sancolli, Sara Kolami, etj.. Në rol kryesor është aktori Eni Shehu, i cili interpreton Roshin. Filmi është historia e Roshit që bëri realitet ëndrrën e tij, por e humbi. Është historia e dashurisë së Roshit me spanjollen e bukur. Mbi të gjitha, është historia e vendimmarrjeve të mëdha në jetë e ruajtjes së integritetit. Njerëzit e bëjnë vetë fatin e tyre. Ironik, emocional të rrëmben në një udhëtim dashurie, dëshpërimi, intrige, dhimbje, humori, shprese. Më herët regjisori Pluton Vasi ka treguar se “Ndërkombëtarët” vjen si një komedi e zezë. “Filmi është një komedi e zezë, dhe ka situata dhe marrëdhënie tepër interesante, që përbëjnë një risi në komunikimin mediatik, në komunikim midis spektatorit dhe kinemasë”, shprehet regjisori Pluton Vasi. Ky është një prodhim i kompanisë filmike “ARTFILM P&D”, me producente Vjollca Dedei dhe bashkëproducent Driton Sahiti, kompania “MC”. Ky film është mbështetur kryesisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Radiotelevizioni Publik Shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here