Kryetari socialist Safet Gjici u shpreh se kreu demokrat në Kukës po iu bën presion punonjësve të djathtë që të ikin nga puna.
Në një deklaratë për mediat, Gjici tha se pas marrjes së detyrës nuk ka larguar asnjë punonjës nga puna me “arsyetimin” se nuk është socialist.
Gjici tha:
“Bashkia e gjithë administrata është në punë. Me punonjësit që kam gjetur po bën punë shumë të mira. Opozita në Kukës nuk ka çfarë thotë, iu vjen inat se disa drejtues të saj punojnë me mua. Nuk më intereson se çfarë kahu politik kanë punonjësit. Largohen nga puna ata që nuk ecin me hapin e punës. Ne e gjetën Kukësin në errësirë të plotë dhe tani ka ndryshuar. E kemi marrë bashkinë në një borxh të thellë. Personave që janë në strukturat e PD-së, u thonë që të largohen nga puna. Kreu i PD-së Kukës iu bën presion punonjësve që të ikin nga puna. Te zyrat politike bëjmë politikë sa të dojë zoti Arif, pasi nuk ka nevojë që t’iu bëjë presion demokratëve që të largohen nga puna që bëjnë në Bashki. Unë kam ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë me ta, padyshim që ata që nuk ndjekin dot ritmin e punës në Bashki nuk kanë vend që të punojnë pranë meje. Unë besoj që ka ardhur koha të mos merremi me fjalë, duhet punë”.